Inspektimi nga toka, me qëllim parandalimin e djegies ilegale të  materialeve si goma, kabllo apo mbeturina të mëdha nuk dha rezultate të kënaqshme, andaj tashmë Inspektorati i Shkupit ka filluar me zbatimin e një tjetër metodologjie. Gjatë natës pikat më problematike vëzhgohen me dronë, disa prej të cilëve së shpejti do të pajisen edhe me kamerë termike. Megjithatë ekipet inspektuese shpeshherë përballen me probleme për shkak se personat në vendngjarje nuk posedojnë dokumente identifikimi dhe ikin para se të mbërrijë ekipi i policisë. Për këtë arsye,  Miroslav Bogdanovski, udhëheqës i Inspektoratit të Qytetit të Shkupit, thotë se do të kërkojnë që më ekipet e tyre kujdestare të jetë edhe një polic.

Dronët i kemi aktivizuar diku rreth fundit të muajit gusht dhe me ta kryhen kontrolle nëpër pikat kritike që kemi në territorin e Qytetit të Shkupit. Për 6 muajt e parë të vitit 2018 janë shqiptuar gjithsej 223 dënime, ndërsa në 6 muajt e parë të këtij viti numri i gjobave të shqiptuara arrin në 778. Pra djegiet ndodhin më së shumti gjatë natës dhe herët në mëngjes“-tha Miroslav Bogdanovski, udhëheqës i Inspektoratit të Qytetit të Shkupit.

Bogdanovski thotë se në mesin e shumë pikave problematike është edhe ajo nën Kala përballë parkut,  Vardarishte, Lagja e Qeramides. Gjatë kësaj periudhe, kur edhe ndotja e ajrit zakonisht është më e lartë, do të intensifikohen edhe kontrollet e inspektoratit.
Gjobat për djegien e mbeturinave të tilla të cilat ndotin jo pak ajrin sillen nga 200 deri në 1500 euro. Nga ky Inspektorat thonë se Ministritë kanë sjellë rregulla  se çfarë duhet të bëjnë qytetarët me gomat apo mbeturinat e tjera të tilla, por zbatimi i atyre rregullave duhet parë. /Alsat M/