Policia kufitare sot ka marrë donacion nga 24 automjete të reja nga Organizata ndërkombëtare për migracion (IOM) me çka do të përforcohen kapacitetet e saj në përballjen e krizës refugjate-migruese. Vlera e përgjithshme e donacionit është rreth 700 mijë euro.

Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili së bashku me zëvendësministrin Agim Nuhiu dhe drejtorin e Byrosë për siguri publike Gorançe Savovski, kanë marrë pjesë në dorëzimin e donacionit, theksoi se do të vazhdojë me përforcimin kapaciteteve personale dhe materialo-teknike, si dhe me bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare dhe sektorin joqeveritar.

“Nga dita e mbylljes së Rutës ballkanike, ne nuk kemi në konfuzion se do të përfundojnë problemet me krizën e refugjatëve ose me hapjen e rutave të reja. Vlerësimet tona kanë qenë se do të aktivizohen rrjeet e organizuara kriminale nga Maqedonia dhe ato ndërkombëtare. Jemi dëshmitarë të një aktiviteti të këtillë intensiv, por arrijmë që në mënyrë të lartë profesionale t’i parandalojmë përmes zbulimit dhe kthimit të migrantëve, të cilët hyjnë ilegalisht në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Çavkov, duke u falenderuar për mbështetjen e BE-së vendeve të grpit të Vishegradit, IOM-së dhe OJQ-ve.

Ai paralajmëroi se priten mjete të reja materialo-teknike, donacion nga BE-ja dhe Çekia për policinë kufitare, me çka do të ketë gjithsej rreth 100 automjete për qëllime të ndryshme.

Sipas Sanja Bozhinovska, udhëheqëse e zyrës së IOM për Republikën e Maqedonisë, këto automjete do të kontribuojnë për përforcimin e kapaciteteve të policisë kufitare në ballafaqim me gjendjen komplekse të migrimit.