Irani ka paralajmëruar se do të ketë pasoja rajonale pas sulmeve ajrore në Siri nga koalicioni i Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk kanë prova dhe, nuk ka nevojë të pritet që Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike të përgjigjet, ata kryen këtë sulm ushtarak”, tha Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë.
Irani tha se koalicioni do të jetë “përgjegjës për pasojat rajonale të këtij aksioni aventurist”.
Irani është një përkrahës kryesor, së bashku me Rusinë, i presidentit sirian Bashar al-Assad, duke ofruar këshilltarë ushtarakë dhe forca tokësore, shkruan The Guardian.
Zyrtarët e Teheranit kanë thënë se fuqitë perëndimore po përdorin sulmet e dyshuara kimike të javës së kaluar në fortesën e mbajtur nga rebelët e Doumës, si një justifikim për të minuar përparimet e kohëve të fundit të regjimit sirian në luftën civile të gjatë.
Shtatë iranianë u vranë në një sulm ajror në një bazë ushtarake siriane të hënën, të cilën Irani pretendon se u krye nga Izraeli.