Sipas hulumtimit të zbatuar në nivel rajonal nga Qendra për hulumtime të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev e gëzon besimin më të madh prej qytetarëve, kundrejt liderit të VMRO-DPMNE-së, Hirstian Mickoski.

Në pyetjen se cilit politikan apo personaliteti publik i besoni më së shumti, tetë për qind e të anketuarve në vend janë përgjigjur “Zoran Zaevit”, ndërsa i dyti në listë është Hristian Mickoski me shtatë për qind.

Sipas hulumtimit, ish-kryeministri Nikolla Gruevski është në pozitën e tretë me dy për qind besim tek qytetarët. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela e gëzojnë nivelin e njëjtë të besimit prej dy për qind.

Në mesin e institucioneve, besim më të madh gëzojnë institucionet religjioze dhe Armata. Në konkurrencën e shefit të shtetit, kryeministrit dhe opozitës, më së miri qëndron presidenti, ndërsa zyra e kryeministrit dhe opozita kanë mbështetje të fuqishme.

Hulumtimi është zbatuar në emër të Qendrës për hulumtime të IRI nga Ipsos Bosnjë e Hercegovina midis 2 shkurtit dhe 6 marsit 2020. Të dhënat janë tubuar përmes intervistave “ballë për ballë”.