Meqë këtë periudhë fokusi i aktiviteteve të Teatrit të Tetovës, gjegjësisht Festivali i Teatrove në Tetovë dhe në këtë periudhë ndodhi edhe ndrrimi i drejtorëve të këtij institucioni, vendosëm që të realizojmë një intervistë me ish-drejttorin e këtij institucioni, Arsim Fazlija.

FOL: Zotëri Fazliu, jeni shkarkuar apo keni dhënë dorheqje?

Arsim Fazlija: As njëra e as tjetra, por më kaloi mandati. Ç’është e vërteta se, Ministria e Kulturës ka qenë e njoftuar që nga mandati i kaluar gjashtëmujor, vendosa të tërhiqem apo të mos rizgjidhem në këtë post, për shkak se vlerësoj se më shumë kontribut dua dhe mund të jap në skenë. Mirëpo, që të mos pengohen punët e filluara, me marrëveshje interne, vendosëm që mandatin e tretë gjashtëmujorë ta ushtroj deri në fund dhe pastaj të emërohet një drejtorë tjetër. Sidoqoftë punët nuk janë ndalur aspak dhe për këtë jam shumë i gëzuar.

FOL: Meqë Festivali i Teatrove në Tetovë është organizuar në kohën kur ju keni qenë drejtor, a mund të na tregoni rreth vështirësive, konceptit dhe organizimit të festivalit?

Arsim Fazlija: Sa po ka përfunduar edicioni i shtatë i festivalit dhe njëkohësisht hera e dytë që menaxhohet nga unë. Normalisht hera e dytë më e lehtë, tanimë i kisha bashkëpuntorët, me akomodimin e trupave, transportin, deri te plaketi i festivalit, mikpritja e trupave. Kolegu im, tani më drejtor, Blerim Ismani, i cili fatmirsisht solli risi, edhe atë duke angazhuar njëzet e dy stundentë të artit për t’i mikpritur dhe për të shpërndarë fletushka të festivalit nëpër lokale të qytetit, me një fjalë çdo gjë shkoi mbarë.

Selektues edhe këtë vit ka qenë aktori Bajrush Mjaku, me të cilin kemi diskutuar dhe bashkërisht kemi vendosur për trupat që vlerësuam se këto trupa teatrale që performojnë do t’i kënaqin nevojat e artdashësve. Normalisht edhe gjatë përcaktimit për trupat është bërë llogaritja e kushteve që i ofrojmë dhe që ata i kërkojnë dhe arritëm kompromis.

FOL: A kishte interesim për shfaqet teatrale që jepen në kuadër të Festivalit?

Arsim Fazlija: Tetova gjithmonë ka pasur publik dhe kjo sot e kësaj dite u dëshmua gjatë këtyre netëve të festivalit.

FOL: Ka ankesa se nuk ka repriza të mjaftueshme, si e shpjegoni këtë?

Arsim Fazlija: Çfarë qëllimi do të kisha të mos mbahen repriza, përderisa janë investuar këto shfaqet! Arsyeja është mungesa e objektit. E kam parasysh se artin nuk e bën objekti, por pallati nuk posedon kushte solide. Ai funksionon vetëm pesë muaj, edhe atë gjatë prillit, majit, qershori, shtatori dhe tetori. Në këtë kohë duhet të realizohen projektet e teatrit dhe të gjitha aktivitetet e pallatit, si dhe organizime të ndryshme kultorore të shoqatave të ndryshme.

FOL: Cilët janë aktivitetet e Teatrit gjatë mandatit 2018-2019 kur ju ishit drejtor?

Arsim Fazlija: Disa nga aktivitet e Teatrit gjatë mandatit tim  2018-2019 janë si në vijim:

PREMIERA:

“VOLPONE” Mars 2018

“TANGO” Qershor 2018

“FUNNY MONEY” Dhjetor 2018

“JASHTË BIE BORË” Nëntor 2018

“NJË LETËR E HUMBUR” Qershor 2019

“BIDERMANI DHE ZJARVËNËSIT“ në përgaditje, premieren do ta ketë në  Tetor 2019

FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I TEATRIT NË TETOVË 2018

FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I TEATRIT NË TETOVË 2019

PJESËMARRJE BRENDA DHE JASHT VENDIT:

  • mysafir në Teatrin e Luftës, Sarajevë, Tetor 2018;
  • mysafir në Teatrin Shtetëror të Stambollit, Nëntor 2018;
  • pjesëmarrës në Festivalin e Teatrove të Vendeve të Ballkanit – Bursë, Turqi, Mars 2019
  • pjesëmarrës në Festivalin “MITROVICA IN FEST”, Mitrovicë, Kosovë, Shtator 2019,

ÇMIMI SPECIAL: Trimosh Ramadani

  • pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor – SKAMPA, Elbasan, Shqipëri, Tetor 2019
  • pjesëmarrës në Festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, Dibër, Maqedoni, Tetor 2019
  • pjesëmarrës në Festivalin i Teatrove “Othello”, Gostivar, Maqedoni, Nëntor 2019.

Arsim Fazlija është një ndër aktorët më të mirë në Teatrin e Tetovës e më gjërë. Ai mban shumë tituj dhe çmime brenda dhe jashtë vendit.