Ish kryeministri i Italisë Romano Prodi, është shprehur i shqetësuar për kërcënimin e dyfishtë të Donald Trumpit dhe Marine Le Pen, në mungesë të një politike evropiane të ndarë sikurse e ka kërkuar edhe kancelarja Angela Merkel.

“Jemi përballë një kërcënimi të dyfishtë të koordinuar nga jashtë dhe nga brenda. Janë dy fytyra të të njëjtit rrezik: nuk e kuptoj se si ende nuk janë martuar bashkë.

Trump bën revolucion, njofton trazira, sulmon Gjermaninë dhe kërkon ta ndajë nga pjesa tjetër e Europës, minon mbrojtjen evropiane. Kurse Le Pen predikon vdekjen e BE-së dhe madje të NATO-s”, ka thënë Prodi.

“Europa me dy shpejtësi nuk është dhe nuk duhet të bëhet një Europë e klasit të parë dhe të dytë. Është momenti që qeveria italiane të përgatitet mirë, pasi Samiti i Romës që do të mbahet në mars, mund ta përjashtojë këtë mundësi”, ka thënë ish kryeministri për “La Repubblica”.