Mbrojtja e Ismet Gurit, të akuzuarit në rastin Titanik 3, kërkoi përjashtimin e prokurores Katica Janeva, e cila është prokurorja e vetme e cila ka të drejtë të përfaqësojë akuzën para gjykatës.

Avokati i Gurit, Elenko Millanov tha se ata dyshojnë në paanshmërinë e Janevës e cila edhe pse fillimisht kishte filluar të hetojë Blerim Muhaxherin dhe Qani Toçin, më vonë e kishte ndërprerë procedurën dhe ata ishin shndërruar në dëshmitarë.

Millanov i lexoi normat ligjore dhe Ligjin për procedurë penale në bazë të të cilit kërkonte përjashtimin.

Por, prokurori i PSP së Gavrill Bubevski ia bëri të qartë Elenkos që ai nuk ka një të drejtë të tillë ndaj prokurorëve të Psp së pasi me ligjin special, nuk është paraparë një mundësi e tillë.

Bubevski i tha gjykatës dhe mbrojtjes që kjo normë e Ligjit për procedurë penale vlen vetëm për prokurorët e Prokurorisë Themelore dhe bëhet fjalë për përjashtim e jo edhe thirrje në përgjegjësi.

Bubevski ia kujtoi gjykatës që ligjvënësi e ka menduar se mund të ndodhë një kërkesë e tillë me qëllim zvarritjen e gjykimit, prandaj edhe nuk e kanë vendosur në ligj.

Në këtë rast i akuzuar është edhe deputeti Ejup Alimi për të cilin PSP dyshon të ketë manipuluar rezultatin zgjedhor të vitit 2013 në Çair.