Nesër në mesnatë përfundon afati në të cilin presidenti Gjorge Ivanov duhet të vendosë nëse do ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve apo ta kthejë në Kuvend me apo pa vërejtje. Kuvendi e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve më 11 janar, ndërsa pastaj teksti u dërgua në Kabinetin e presidentit. Dilema për atë nëse Ivanov do ta nënshkruajë dekretin dhe nëse ligjin do ta kthejë me vërejtje në Kuvend, për çfarë ka të drejtë të parashikuar me Kushtetutën dhe me Rregulloren, ishte hapur pas fjalimit të tij vjetor të rregullt në Parlament në të cilin tha se ligji është jokushtetues dhe paraqet rrezik rreth unitaritetit të shtetit. Vendim i tij për ligjin, tha atëherë Ivanov, bazohet mbi garancitë e dhëna me shkrim për mbrojtjen e unitaritetit, sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe multietnicitetit të Republikës së Maqedonisë. Ligji, theksoi Ivanov, duhet të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe i harmonizuar me legjislacionin e Maqedonisë.

Presidenti Ivanov mund të vendosë që mos ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Në këtë rast, sipas nenit 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Kuvendi sërish e shqyrton ligjin dhe nëse e miraton me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin. Presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin dhe nëse ligji miratohet me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Me Rregulloren e Kuvendit, ndërkaq, parashikohet edhe nëse presidenti vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi sërish ta shqyrtojë ligjin në fazën e tretë të leximit, në afat prej 30 ditëve nga dita e miratimit të tij. Pas shqyrtimit të sërishëm, amendamente mund të parashtrohen vetëm lidhur me tregimin e presidentit.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti shpreson se presidenti Ivanov në afatin e paraparë ligjor do ta nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me atë, siç thotë, do t’i përmirësojë marrëdhëniet me shqiptarët që ende nga fillimi i mandatit nuk ka besim në të. “Me këtë ai personalisht do ta përmirësojë autoritetin te shqiptarët në Maqedoni dhe para bashkësisë ndërkombëtare. Nuk duhet ai të mos e vendosë nënshkrimin në dekretin e Ligjit, por nëse ndodh kjo ka procedurë ligjore në përpjekjen e dytë të hyjë në fuqi edhe pa nënshkrimin e tij”, thotë Ahmeti në intrevistën për Alsat.

Nuk konsideron se Ligji mund të mos kalojë në Gjykatën Kushtetuese sepse e kanë përpiluar ekspertë dhe janë kujdesur që të mos bëhen lëshime. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 11 janar me 69 vota “pro” e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ligji ishte votuar edhe me shumicë të dyfishtë, gjegjësisht për të votuan 27 deputetë nga komunitetet joshumicë, ndërsa një ishte abstenim. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët nuk morën pjesë në punën e Parlamentit në shenjë të revoltit nga paraburgimi i pesë kolegëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë për pjesëmarrjen në incidentet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar. /Fol/