Ivanov: Jepini fund krizës politike

Lidhur me situatën në Maqedoni më në fund ka folur edhe Presidenti Gjorge Ivanov, i cili përmes një komunikate, u ka bërë thirrje drejtuesve partiakë që t’i japin fund krizës politike në vend.

“Është momenti i fundit, që Marrëveshja e Përzhinos, të zbatohet pa shtyrje të mëtejme. Palët nuk mund t’u shmangen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja, duke e vënë kështu në pikëpyetje të ardhmen europiane dhe perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
 
Në komunikatën për media të presidentit Ivanov thuhet se qytetarët e Maqedonisë presin nga partitë rezultate, zgjidhje të besueshme dhe dhënien fund të krizës politike.
 
“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë ua dhanë besimin partive politike, jo për t’u bërë peng i interesave të tyre dhe peng i bllokadave politike, por duke pritur që partitë me vetëdije të punojnë në interes të shtetit. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë presin rezultate, zgjidhje të qëndrueshme dhe fund të kësaj krize politike”, thuhet në deklaratën me shkrim të Presidentit Ivanov.

1453029922ivanov