Pas dështimit të mandatarit Nikolla Gruevski nga VMRO që të formojë shumicën parlamentare dhe të prezantojë në parlament programin dhe kabinetin qeveritarë, tashmë presidenti i vendit Gjorgje Ivanov është vënë në lëvizje për zgjidhjen e problemit rreth asaj se kujt duhet t`i ndajë mandatin për së dyti, informon Zhurnal derisa ai dje u takua me ambasadorin e BE-së në vend Samuel Zhbogar, sot Ivanov pati takim edhe me kryetarin e gjykatës kushtetutese që sipas njoftimit me shkrim nga presidenca, Ivanov do të konsultohet me institucionet vendore para se të vendosë se kujt do i ndajë mandatin.

Ndonëse njohës dhe ekspert të mirë të së drejtës kushtetutese sot kanë komentuar rreth asaj se nuk është gjykata kushtetutese ajo që duhet të interpretojë kushtetutën lidhur me dhënien e mandatit për formimin e qeverisë dhe se presidenti ka këshilltarët e tij që të konsutlohet, Agjencia e lajmeve Zhurnal nga burime brenda partisë së Nikolla Gruevskit mëson se presidenti Ivanov nuk do të mandatojë Zoran Zaevin për të formuar qeveri të re sipas rregullores dhe si fitues i dytë pas Gruevskit.

Po si do të rrjedhë e gjithë procedura?

Zhurnal më tej nga burime mirë të informuara mëson se brenda partive politike do të fillojnë konsultat për formimin e shumicës parlamentare që fillimisht do të zgjedhin kryeparlamentarin. Kështu sipas informacioneve jozyrtare që ka Zhurnal, kjo shumicë e re parlamentare do të bëhet mes LSDM-së, BDI-së dhe LR PDSH-së, e që më pas kjo procedurë do të detyrojë presidentin e vendit Ivanov që të ndajë mandatin për formimin e qeverisë dhe atë në mënyrë të detyruar nga rrethanat dhe situata e krijuar në vend.

Sipas gjitha gjasave, kryeparlamentari për herë të parë në historinë e shtetformimit të Maqedonisë do të jetë shqiptarë dhe shqiptarët përfundimisht gjatë një mandati do të drejtojnë institucionin më të lartë ligjvënës në Maqedoni. Se cili do të jetë deputeti që do të kryesojë parlamentin në postin e kryeparlamentarit pritet të shihet edhe pse në opinion tashmë ka nisur përfolja e dy kandidatëve edhe atë Talat Xhaferit nga BDI dhe Ziadin Selës nga LR PDSH, mirëpo e gjithë kjo do të definohet pas konsultave të partive politike që do të formojnë shumicën parlamentare lidhur me ndarjen e dikastereve që do të drejtojnë./ Zhurnal.