Partia Socialiste e Maqedonisë, që është në koalicion me VMRO-DPMNE-në, kërkon përpunimin e Platformës gjithëpërfshirëse maqedonase për mbrojtjen e interesave nacionale dhe shtetërore vitale.
Kjo parti u bën thirrje të gjitha subjekteve politike në Maqedoni të kyçen në përgatitjen e një platforme të tillë.
Në njoftimin e kësaj partie thuhet se “Partia Socialiste e Maqedonisë është e brengosur thellë për fatin e shtetit dhe bën thirrje për bashkimin e popullit maqedonas dhe bashkësive të tjera në Republikën e Maqedonisë, të cilët e duan dhe e respektojnë shtetin në të cilin jetojnë, ta mbështesin përgatitjen e një Platforme gjithëpërfshirëse, konkrete dhe precize. Dokumenti duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe në të duhet të theksohen të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm, karakterin e sigurisë, funksionimin e institucioneve, gjuhës, emrit, kulturës, historisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme”.
Nga Partia Socialiste insistojnë që nisma e tyre të shqyrtohet në mënyrë urgjente brenda pesë ditësh, pasi vlerësojnë se shteti është në rrezik, ndërsa si kulminacion i të gjitha ngjarjeve doli, siç thonë, Platforma “e rrezikshme e partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë, e krijuar nga Shqipëria fqinje, me pjesëmarrjen aktive të shtetit shqiptar”.