Pa mënjanimin e pengesave politike dhe juridike nuk do ta jap mandatin. Kështu ka thënë presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, në një intervistë për Televizionin Shtetëror Hungarez. Ivanov këmbëngul se shumica parlamentare është siguruar nën kërcënimin për të pranuar Platformën e Tiranës, siç ka thënë ai.

“Kjo, sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona është vendosje e shtetit në një gjendje nënshtrimi dhe varësie nga një shtet tjetër. Kjo vepër është e dënueshme, por edhe është në kundërshtim me betimin që e kam dhënë gjatë marrjes së funksionit President, sepse unë jo vetëm që me nder duhet ta kryej këtë funksion, të mbroj Kushtetutën dhe ligjet, unë jam përgjegjës për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, ka deklaruar presidenti Gjorge Ivanov.

Sipas tij, nëse jep mandati dikujt që ka pranuar platformë të një shteti të huaj, atëherë do të vihet në pikëpyetje pavarësia e shtetit.

Për deklaratat e tilla të Ivanovit kanë reaguar nga LSDM, të cilët kanë thënë  Ivanov me mohimin e pushtetit të ri që e zgjodhën qytetarët dhe bllokimin e proceseve drejtpërdrejt po i rrezikon interesat shtetërore dhe kombëtare të qytetarëve.

“Gjorge Ivanov tenton ta demolojë tërë shtetin dhe institucionet e sistemit me sjelljen e tij antishtetërore e cila nuk i ngjan funksionit që e ushtron si president i shtetit. Shtatëqind mijë qytetarë kanë votuar për Maqedoni demokratike, të lirë, ekonomikisht të përparuar dhe evropiane. Gjorge Ivanov nuk do ta pengojë vullnetin demokratik të qytetarëve”, kanë reaguar nga LSDM.

Ata kanë shtuar se shumica e re parlamentare ka për obligim dhe detyrë të mbroj shtetin dhe qytetarët dhe se do të ketë përgjegjësi nëse pengohet realizimi i vullnetit të shumicës.

/SHENJA/