Vetëm me sjellje përgjegjëse më 11 dhjetor do ta shënojmë fundin e krizës politike dhe fillimin e pajtimit nacional në Republikën e Maqedonisë, ndërsa pajtimi na nevojitet gjithnjë e më shumë, porositi presidenti Gorge Ivanov, në fjalimin e tij në akademinë solemne me rastin e 8 Dhjetorit – festës kushtuar Shën Klimentit të Ohrit.

“Bëj thirrje që zgjedhjet e parakohshme parlamentare t’i përfundojmë me dinjitet, ashtu siç i ka hije një shteti me përvojë 25 vjeçare demokratike. Deri më tani shumë herë kemi treguar se kemi kapacitet institucional dhe demokratik që të organizojmë dhe zbatojmë zgjedhje korrekte dhe demokratike”, tha presidenti Ivanov.

Ai vlerësoi se disa nga mediat tona elektronike dhe të shtypura dhe rrjete sociale manipulojnë, sidomos gjatë krizave politike dhe fushatave parazgjedhore, ndërsa në emisionet debative, sipas presidentit Ivanov ka më shumë mosmarrëveshje sesa bindje, më shumë monologje sesa dialogje.

Ivanov u bëri thirrje partive politike edhe të pushtetit edhe të opozitës në këto ditë të fundit të parazgjedhjeve në sjellje të përgjegjshme.