Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov u ka nisur një letër kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe dy presidentëve, atij të SHBA-ve, Donald Trump dhe të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, e cila fillon me ankesën se tre partitë shqiptare kanë përpiluar një platformë antikushtetuese nën patronazh të Tiranës dhe me të njëjtën kushtëzojnë Qeverinë e Maqedonisë.

“Platforma është dokument pas zgjedhor i miratuar në një shtet të huaj në kabinet të një burrështetasi të huaj dhe me ndërmjetësim të kryeministrit të një shteti të huaj. Me këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Republikën e Maqedonisë në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë me të cilat do të rrezikohej karakteri unitar i shtetit. Platforma e cenon Marrëveshjen kornizë të Ohrit, që i rregullon marrëdhëniet e bashkësive etnike me shtetin Republika e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Në kundërshtim me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, platforma është diskriminuese ndaj bashkësive të tjera etnike, sepse i jep prioritet vetëm një bashkësie etnike. Kjo platformë nga Tirana në mënyrë plotësuese e destabilizon gjendjen e brendshme politike dhe i rrit tensionet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në letrën e Ivanovit.

Ivanov më tej thotë se mënyra se si është miratuar kjo platformë dhe deklaratat e përfaqësuesve shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet nder-fqinjësore dhe rrezikojnë destabilizimin e Ballkanit.