Koalicioni “Lidhja Evropiane për Ndryshim”, do të ofroj konkurrencë në bllokun politik shqiptar. Kështu konsideron kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, në intervistën për Radion Evropa e Lirë. Ai zotohet se së bashku me koalicionin do të ofrojnë zgjidhje të problemeve me të cilat thonë do të përmirësojnë standardin e qytetarëve dhe do ta luftojnë korrupsionin.
Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike
“Jo vetëm që konstatojmë qeverisje të keqe nga BDI dhe partnerët e tjerë të koalicionit, por do të japim edhe propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve për përmirësimin e standardit jetësor, për perspektivë më të mirë, të ndalohet migracioni i të rinjëve, Do të luftohet kundër korrupsionit që është theksuar edhe në raportin e fundit si më katastrofali deri më tani, për shkak të korrupsionit të madh që është në nivel të lartë. Fokusi do të jenë çështjet ekonomike”.
Për vendin e zbrazët në KSHZ, e që synon ta ketë opozita, Mexhiti thotë arsyeja përse nuk ndodh kjo, fajtor është kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Opozita thotë se ka propozuar kandidat dhe ai është Abdush Demiri.
Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike
“KSHZ duhet të ketë përfaqësues edhe nga blloku maqedonas edhe shqiptar, edhe nga pozita edhe nga opozita, që të ketë balancim. Madje opozita çdoherë duhet të ketë shumicë në KSHZ. Qëllimi është të ketë zgjedhje fer dhe demokratike dhe që sa më pak të ndikojnë dukuritë devijuese. Ne do ti shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike, e njoftojmë edhe faktorin ndërkombëtarë dhe argumentet janë në anën tonë”.
Në zgjedhjet që vijojnë, Mexhiti shton se do të kenë lista të përbashkëta me Besën dhe Alternativën, ashtu siç do të kenë edhe kandidat të përbashkët për president të shtetit.
Për mosbashkimin e Aleancës për Shqiptarët në frontin opozitar shqiptar, Izeti Mexhiti u shpreh se ASH hyri në Qeveri për ndryshimet kushtetuese dhe po përfundojnë si ndihmues të kthimit të Nikolla Gruevskit dhe sjelljes së ndryshimeve të Kodit Penal.