Policia izraelite hoqi barrierat e hekurit te portat e Xhamisë Al Aksa të enjten herët, raporton AA.

Ky hap pasoi pas një vendimi të hënën nga kabineti i sigurisë izraelite për të hequr detektorë e metalit, por barrierat e hekurit kishin mbetur.

Ndërsa palestinezët menjëherë festuan largimin e barrierave në Portën Esbat të Al Aksasë, disa të tjerë vazhduan të ngelin në alarm.

Vakëfi i Al Aksës, që menaxhon ndërtesat islame në kompleksin Al Aksa, ishte në mëdyshje dhe drejtori i tij Omar Kisvani njoftoi se nuk do të nxitojnë për të hyrë në Al Aksa.

“Ne do të presim që komiteti teknik, të cilin e kemi caktuar ne, të përfundojë hetimin e tij në Al Aksa. Ne nuk do të ngutemi deri me vendimin tonë nëse do të hyjmë në Al Aksa ose jo”, u tha gazetarëve Kisvani në portën Esbat.

Më herët, Bordi i Lartë Islamik i Jerusalemit kishte njoftuar se nuk do të hyjë në Al Aksa para se komiteti teknik të lëshonte raportin e tij.

Autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.

Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.

Muslimanët protestuan kundër masave, ndërsa përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, duke përfshirë tetë palestinezë. Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.

Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, kabineti i sigurimit të Izraelit vendosi të heqë detektorët e metalit, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.