Bilall Kasami rizgjidhet kryetar i Lëvizjes Besa, në kongresin e mbajtur sot në Shkup. Nga gjithsej 505 delegatë, të pranishëm ishin 481 ndërsa Kasami ishte kandidati i vetëm. Para zgjedhjes, Lëvizja Besa votoi edhe ndryshimin e statutit të partisë, ndërsa ndër ndryshimet e reja që u votuan është edhe mundësia që kryetari i partisë të ketë të drejtë të kandidohet në më shumë se 2 mandate. Pasi u zgjodh kryetar, Kasami tha se Besa do të vazhdojë të luaj rolin e saj konstruktiv si parti opozitare, ndërsa sa i përket grupit të deputetëve, ai tha se 5 deputetët janë të unifikuar, ndërsa rreth ndarjes së tyre, tha se është e drejtë e çdo deputeti që të zgjedhë se kë do të përfaqësojë në Kuvend.

Në kongresin e krahut të Kasamit ishin të pranishëm vetëm dy nga pesë deputetët, Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli.

Ndër të pranishmit kishte edhe mysafir nga vendi dhe jashtë. Kishte përfaqësues së partisë republikane nga Shqipëria, përfaqësues të myftinisë islame si dhe përfaqësues nga disa ambasada të vendit. Nga partitë në vend, të pranishëm ishin vetëm përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët. Sekretari i kësaj partie, Arben Taravari tha se si parti kanë marrë pjesë edhe në kongresin e 18 shkurtit, të krahut të Afrim Gashit.

Ndryshe, problemet brendapartiake në partinë BESA filluan më 6 janar, kur u deklarua shkarkimi i kryetarit të partisë, Bilall Kasamit. Pas kësaj, vijoi edhe thyerja e selisë dhe probleme rreth selisë. Në lidhje me këtë gjykata vendosi në favor të Kasamit, ndërsa si pasojë, krahu i Gashit filloi të publikojë dokumente, sipas së cilave pretendohet se Kasami në mënyrë të paligjshme ka keqpërdorur pozitën e kryetarit dhe ka ndërruar kryesitë e njësive komunale.