Presidenti amerikan Donald Trump mbajti mbrëmë një fjalim të shkurtër përpara mediave në Florida, ku njoftoi se kishte dhënë urdhër për goditje ushtarake kundër një baze ajrore në Siri, nga e cila ishin ndërmarrë sulme me armë kimike. Ai tha se nuk ka diskutim që Siria përdori armë kimike, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti tha se “është në interesin jetik kombëtar të SHBA të parandalojnë dhe të frenojnë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse.”

Bashar al-Assadi, tha zoti Trump, u mori jetën njerëzve të pashpresë.

Presidenti Trump tha se u bënte thirrje vendeve të qytetëruara të bashkoheshin në përpjekjet për të ndalur gjakderdhjen në Siri dhe për t’i dhënë fund grupit Shteti Islamik.

Fjalimi i Donald Trump për sulmet e sotme në Siri

Sulmet amerikane u ndërmorën nga dy destrojerë të Marinës amerikane në Mesdheun lindor.

Kjo është goditja e parë e drejtpërdrejtë që SHBA ndërmarrin kundër qeverisë së Assadit që nga fillimi i luftës civile në Siri gjashtë vjet më parë.