Ish këshilltari i sigurisë në Ambasadën Serbe në Maqedoni Goran Zhivaljeviq mohon akuzat e VMRO-DPMNE-së se institucionet maqedonase nuk i kanë dhënë leje për të hyrë në parlament gjatë incidentit të 27 prillit.

“Prania ime në Kuvend nuk ka qenë e fshehtë, e as sekrete. Misioni im nuk ka qenë fshehtësi, as i padenjë, dhe për më tepër,  shërbimet e Maqedonisë kanë qenë të njoftuara”, ka thënë për Tanjug Zhivaljeviq.

Madje ai ka thëne se qëndrimi i tij në Kuvend e ka miratuar këshilltari i sigurisë së presidentit të Maqedonisë, Sinisha Aleksovski.

“Ky person e dinte arsyen pse isha atje dhe për këtë gjë ka qenë i informuar. Misioni im nuk ishte sekret dhe kishte qëllime të mira lidhur me sigurinë e Maqedonisë dhe në kontekstin e bashkëpunimit që kemi me shërbimet e sigurimit të Maqedonisë, ” ka thënë  Zhivaljeviq.

Ai thotë se në deklarimin e VMRO-DPMNE-së qëllimisht kapërcehet instanca President i Republikës.

Në anën tjetër VMRO-DPMNE në një deklaratë ka mohuar pretendimet se dikush nga institucionet maqedonase i ka dhënë pëlqim përfaqësuesit të diplomacisë serbe, Goran Zhivaljeviq të hyjë në Kuvendin e Maqedonisë, ditën kur ka ndodhur incidenti.

“VMRO-DPMNE, duke pasur parasysh se tani është në opozitë, gjatë ditës së sotme në suaza të kompetencave të saj ka kontrolluar dhe ka vërtetuar se as MPJ, as Qeveria, as Kuvendi, as MPB apo Agjencia e intelegjencës nuk ka marrë këkesë të tillë, e as kanë dhënë pëlqim për diçka të tillë”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje edhe Qeverisë aktuale për të kontrolluar nëse ka pasur një gjë të tillë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, le ta publikojë dokumenti e institucionit që ka bërë një gjë të tillë. Nga partia thonë se nëse brenda dy ditëve nuk do të publikohet një dokument i tillë ateherë do të konstatohet se definitivisht një gjë e tillë nuk është e vërtetë.