Pas një procedure hetimore disamujore, prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sot deri tek Gjykata Penale –Shkup, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave. Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale: Rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë. Ndërsa për dy persona të cilët janë të pakapshëm për organet e rendit, procedura është ndërpre deri në gjetjen e tyre.

Të akuzuarit janë ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, ish-ministri i transportit, Mile Janakievski, ish-ministri i Punës Sociale Spiro Ristoski dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski. Procedura është ndërprerë për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-kryeshefin e DSK-së, Nikolla Boshkovski, për shkak se nuk janë në dispozicion të organeve të ndjekjes dhe janë në arrati.

“Duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore, prokurori kompetent deri tek gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Penale-Shkup ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit për njërin nga të akuzuarit, derisa për dy të tjerë ka kërkuar që masa e paraburgimit të zëvendësohet me arrest shtëpiak”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.