Ditëve në vijim pritet të takohen kryetari i LSDM, Zoran Zaev dhe kryetari i PDSH, Menduh Thaçi. Takimi është konfirmuar nga burime partiake dhe se do të ndodhë ditëve në vijim.

Siç mëson INA, marrëveshja parasheh që PDSH me dy deputetë të përkrahë vendimet që kanë të bëjnë me reformat në sistemin e drejtësisë dhe në sfera të tjera, reformat që ndërlidhen me proceset e integrimeve euroatlantike dhe për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, sidomos për propozim-ligjin për përdorim më të zgjeruar të gjuhës shqipe.

PDSH gjithashtu siç bëjnë të ditur nga LSDM nuk është e interesuar për të qenë pjesë e qeverisë, por ajo do të shprehë konstruktivitet për vendime që janë të rëndësishme për vendin. Zaev garanci të tilla për përkrahje ka marrë edhe nga deputetët e Lëvizjes BESA, të cilët nuk u përfshinë në koalicionin qeverisës. (INA)