Reagim i anëtarit të Kryesisë qendrore të LR-PDSH z.Jahi Bakiu, i cili kërkon përgjegjësi nga autoritetet komunale të Tearcës, për shkak të ndërprerjes 3 mujore të ujit të pijshëm:

“Në Nerasht me bashkëvendasit e mi diskutojmë dhe nuk po arrijmë të kuptojmë se si është e mundur të kemi administratë lokale që interesohet vetëm se si t’i merr paratë tona, por jo edhe të kryje shërbimin që na detyrohet me Ligj. Komuna është e detyruar të sigurojë ujin e pijshëm dhe nuk mund të arsyetohet që fajin për këtë dështim e kanë banorët e Nerashtit! Këtë e dëgjuam dje nga kryetari i komunës, i cili pa asnjë bazë morale e juridike adresoi fajin te mos pagesa mujore e paushallit prej 300 denarësh! Problemi nuk qëndron te mos pagesa e paushallit, por te mos-puna e komunës së Tearcës. U bënë 3 muaj që s’kemi ujë të pijshëm në shtëpitë tona dhe për këtë dikush është përgjegjës! Dikush që vetes i thotë “kryetar komune” dhe nga ana tjetër s’do t’ja dijë për problemet e banorëve të komunës.

Nëse ai mendon se Nerashti duhet vet ta zgjidhë këtë problem, atëherë s’ka problem, së pari le të dorëhiqet, sepse s’paskemi nevojë për një kryetar komune që s’bën asnjë punë.