Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, ka thënë se Murat Jashari është një personalitet që posedon aftësitë profesionale që të përfaqësojë institucionet e shtetit të Kosovës në nivelin më të lartë, prandaj, çdo propozim që do t’i jepte mandatin e plotë qeverisës Murat Jasharit ata do e mbështesnin.
Tutje Krasniqi thotë se është joserioze në cilësinë e përfaqësuesit të familjes legjendare Jashari të Prekazit, nuk është serioze t’i propozohet Murat Jasharit një funksion tranzitor unifikues.
Shkrimi i plotë:
Në këtë fazë të zhvillimeve politike që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi lidhur me krijimin e qeverisë së re të Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Zonja Vjosa Osmani doli me idenë një “qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjet e reja, që do të udhëhiqej nga një figurë unifikuese mbi-partiake”.
Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu deklaroi se e mbështetë idenë e zonjës Osmani nëse në krye të qeverisë vjen Murat Jashari si kryeministër. Përveç faktit që Murat Jashari është jurist i shkëlqyer, ai është përfaqësues dinjitoz i familjes emblematike të Jasharëve Legjendar. Në cilësinë e juristit, ai është një personalitet që posedon aftësitë profesionale që të përfaqësojë institucionet e shtetit të Kosovës në nivelin më të lartë. Prandaj, çdo propozim që do t’i jepte mandatin e plotë qeverisës Murat Jasharit ne do ta mbështesnim pa kurrfarë rezerve. Mirëpo, as në cilësinë e doktorit të shkencave juridike, as në cilësinë e përfaqësuesit të familjes legjendare Jashari të Prekazit, nuk është serioze t’i propozohet Murat Jasharit një funksion tranzitor unifikues.