Prokuroria Speciale Publike është e përqëndruar në hetimet financiare dhe zbulimin se ku janë derdhur paratë. Shtetet e mundshme ku janë derdhur paratë janë Çekia, Greqia, Britania e Madhe, Holanda, deklaroi sot prokurorja speciale publike, Katica Janeva.

Ajo potencoi se PSP punon edhe në projektin “Shkupi 2014” dhe pret së shpejti të dalin me vendim.

“PSP veçmë bashkëpunon me shtete të tjera, ndërsa prokurorët tanë veçmë ishin edhe në vizita studiuese. Shpresoj se do të zbulojmë ku saktë janë derdhur paratë edhe a janë ende në RM”, tha Janeva.

Ajo tha se nuk lejojnë t’u lidhen duart lidhur me hetimet financiare ndërkombëtare.

“Çdo ditë gjejmë mënyra dhe tentojmë të gjejmë mënyra ligjore se si hetimet tona financiare të shkojnë më shpejt. Të gjithë prokurorët dhe tërë ekipi i prokurorëve i PSP-së më së shumti punojë në hetimet financiare. Kemi shumë materiale që janë mbledhur dhe analizohen në bazë ditore”, tha Janeva.

Përkrahja e Prokurorisë Speciale Publike në përforcimin e kapaciteteve të saj operative dhe kapaciteteve për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, është pikërisht qëllimi i projektit që do të zbatohet në Prokurorinë Publike për ndjekjen e veprave penale lidhur dhe të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes joligjore të komunikimeve, i cili u prezantua sot.

Projekti u financua përmes Ambasadës Holandeze, do të zgjatë tre vite, ndërsa qëllimi është përforcimi i kapaciteteve operative të PSP-së dhe ndihmës juridike ndërkombëtare, gjë që është e domosdoshme për udhëheqje më të shpejtë të hetimeve financiare. /Fol/