Gjoba për Katica Janevën parashikohet të jetë nga 100 deri në 400 euro, pasi ajo u zhvesh në të brendshmet në Entin Shtetëror të Revizionit të mërkurën e kaluar. Policia ka përpiluar procesverbal për kundërvajtje, ndërsa ish-shefja e PSP-së po ndiqet penalisht në bazë të Ligjit kundër shkeljeve të rendit dhe qetësisë publike.

Neni 4:

“Ai i cili me grindje, të shara, bërtitje ose sjellje të pahijshme dhe të paturpshme, e shkel rendin dhe qetësinë publike do të gjobitet në shumën prej 100 deri në 400 euro në kundërvlerë të denarit”

Më 3 qershor, Janeva nga arresti shtëpiak u soll në Entin Shtetëror të Revizionit për të inspektuar raportin e revizorëve të cilët e analizuan mënyrën e shpërndarjes së shpërblimeve të larta në ish PSP-në. Përveç punonjësve të ESHR-së, në mbledhje mori pjesë edhe një prokuror i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Sipas avokatëve të Janevës, ajo është shqetësuar. Ka kërkuar avokatë ose përfaqësues nga Avokati i Popullit. Nuk i është lejuar, kështu që në shenjë revolte është zhveshur. Sipas informacioneve të Alsat, revizorët kanë gjetur mospërputhje në mënyrën se si Janeva i ka shpërndarë shpërblimet mijëra euroshe si për prokurorët special ashtu edhe për punonjësit e tjerë në PSP. Shtesat për konfidencialitetit për katër vite ishin me mijëra euro. Më shumë para sipas kësaj ka marrë Katica Janeva edhe atë 157 mijë euro. Prokurorët e tjerë si shpërblime kanë marrë nga 70,000 deri në 100,000 euro. Revizorët zbuluan se Janeva mënyrën e përllogaritjes së shtesave e ka klasifikuar si sekret. Padi kundërvajtëse për shpërblimet në PSP paralajmëroi edhe Komisioni Kundër Korrupsionit, pasi prokurorët nuk i kanë raportuar shtesat në pyetësorët që ata i kanë dorëzuar në këtë Komision.