Sekretarit amerikan i Shtetit, John Kerry, sot viziton Shqipërinë. Ai në Rinas, përveç anëtarëve të protokollit të shtetit dhe zyrtarëve të nivelit të dytë do të gjejë edhe presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Pas mbërritjes në Rinas, shefi i diplomacisë amerikane do t’i drejtohet Kryeministrisë. Siç njofton zyra e kryeministrit, John Kerry do të takohet fillimisht me homologun e tij Ditmir Bushati dhe më pas do të kryejë takimin me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Axhenda zyrtare përmban një deklaratë të përbashkët mes Kerryt dhe Ramës në orën 11.00 dhe menjëherë më pas, sekretari i Shtetit do të zhvendoset disa metra më tej, në hotel “Rogner”, ku do të zhvillohet takimi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga 4 deputetë.

Gjatë mesditës së të premtes u fol për një takim të John Kerryt me Hashim Thaçin, por mediat në Shqipëri kanë konfirmuar se ky takim nuk është në agjendën e sekretarit amerikan të Shtetit.

Më shumë se 1500 efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e vizitës së sekretarit Kerry, përfshirë edhe gardën e republikës dhe shërbimet inteligjente. Po ashtu për patrullimin nga ajri, në dispozicion do të jetë edhe një helikopter i ushtrisë./KosovaPress/