Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike serb, Çedomir Jovanoviq ka deklaruar se dialogu me shqiptarët e Kosovës duhet të vazhdojë “pa kalkulime”.

“Problemin që po tentojmë ta zgjidhim bashkë është tepër i madh që të mund ta lëmë pa përgjigje të qartë”, ka thënë Jovanoviq.

Lideri i LDP-së vlerëson se është absolutisht e papranueshme gjithçka që ka ndodhur gjatë dialogut në disa javët e fundit dhe se nuk ka arsye për fshehtësi, pasi që Serbisë dhe Kosovës i duhen informacione të sakta dhe të qarta që janë pjesë e bisedimeve, transmeton lajmi.net.

Jovanoviq ka theksuar se qëndrimi i LDP-së është shumë i qartë – implementimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit.

“Praktika e fshehjes së të vërtetës kosovare dhe mënyra se si po zhvillohen bisedimet është e paqartë, e kjo më herët ishte praktikë e Boris Tadiqit, dhe kështu vazhduan të punojnë edhe Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Jovanoviq.

Ai vlerëson se “siguria e serbëve në Kosovë nuk mund të ruhet me eskalimin e nacionalizimit në Serbi, pasi që kurdo që kështu jemi sjellë, kemi humbur”.