Katër prokurorë shqiptarë kundërshtojnë akuzën e re kundër vrasësit të Almir Aliut 4-vjeçar. Në një letër publike dërguar mediave, prokurorët Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta, kanë shkruar se ata qëndrojnë ende në mendimin se kualifikimi i veprës në start është ajo me të cilën duhet të vazhdojë të përndiqet Boban Iliq. Prokurorët kanë vlerësuar se është bërë shkel ligjshmëria, se ska patur paanshmëri dhe objektivitet gjatë vendimit.
Prokuroria Themelore, prokurorët shqiptar

“Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Kumanovës ka korresponduar plotësisht me veprimet e të akuzuari, siç ka qenë në fillim i akuzuar për vepër penale “vrasje”, e paraparë me nenin 123, alinea 2, pika 3 e Kodit Penal. Këtë qëndrim tonin e kemi argumentuar edhe në kolegjiumet të cilat janë mbajtur në Prokurorinë Republikane. Është bërë shkelje e parimeve themelore të ligjit mbi prokurorinë publike siç janë : parimi i ligjshmërisë, i paanshmërisë, i objektivitetit dhe i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të cilat njëherit janë edhe vlera themelore të Kushtetutës së RM-së.”

Por shefi i tyre, kryeprokurori Lubomir Joveski paralajmëroi masa diciplinore ndaj prokurorëve shqiptarë të cilët e quajtën si të paligjshme veprën e rikualifikuar të vrasjes së Almirit. Në një kumtesë publike dërguar mediave, Joveski ka kundërshtuar të gjithë pohimet e prokurorëve dhe ju tha se vendimi është marrë bazuar në ligj dhe prova. Kryeprokurori tha se nuk do të lejojë që prokurorët ta prishin imazhin e Prokurorisë Themelore.

Lubomir Joveski, kryeprokuror

“Veprimi i tyre vë në pikëpyetje pavarësinë, paanshmërinë, besnikërinë dhe dinjitetin e Prokurorit Publik, pasi që veprimi i tyre është nxitur nga arsye të tjera që nuk lidhen me funksionin e prokurorit. Prandaj, veprimin e tyre do ta diskutojmë në kolegium të Prokurorisë dhe do të kërkojmë që të bëhet vlerësim i sjelljes së tyre në Këshillin Etik të prokurorëve.”

Joveski kujtoi se prokurorët nuk duhet të bien pre e vlerësimeve subjektive ose presionit të opinionit dhe politikës dhe se ligji vlen për të gjithë në mënyrë të njëjtë, pavarësisht përkatësisë etnike ose fetare.

Dje Gjykata Themelore e Kumanovës i hoqi masën e paraburgimit të akuzuarit për vrasjen e Almir Aliut, Boban Iliq. E lëshoi pasi që prokurorja Suzana Kusigerska siguroi mbështetjen e shumicës së prokurorëve në Këshillin për vlerësimin e aktakuzës për të ndryshuar veprën “vrasje” me “vepër të rëndë penale që rrezikon sigurinë e qytetarëve në trafik”. Në afat prej dy javësh, Boban Iliç është tërësisht i lirë pa asnjë masë kujdesi, edhe pse shkaku i rrezikshmërisë ai qëndroi në paraburgim për një kohë më të gjatë. Gjykatësja Maja Denkovska nuk ka vlerësuar se Iliq është i rrezikshëm, se mund të ikë, ose mund ta përsërisë veprën. Dje prokuroria arsyetoi vendimin për rikualifikim me prova dhe rrethana shtesë që nuk i di opinioni dhe thanë se akuza e tanishme është poashtu e rëndë, dhe parashikon deri në 20 vite burg. Më 25 qershor të vitit 2016, Boban Iliq me veturën e tipit “Mercedes C200” goditi për vdekje vogëlushin Almirin, duke lënë të lënduar edhe nënën e tij. Për këtë rast, akuzohen edhe Sedat Aliu, babai i Almirit dhe dy familjarët e tij Sami Demiri dhe Abdulla Aliu akuzohen për dhunë.