Inspektorati shtetëror i ambientit ka paralajmëruar se kombinatit Jugohrom do t’i vazhdohet edhe për tre muaj ndalesa për punë. Drejtori i këtij institucioni Hysni Thaçi për Alsat M tha se sipas kontrollit të fundit të inspektorëve, kombinati nuk i ka plotësuar kushtet që të fillojë përsëri me prodhimtari. Edhe drejtori Jugohromit Vasko Skenderovski thotë se është i vetëdijshëm se ndalesa do të vazhdohet.
Të jem i sinqertë, nuk pres që vendimi i Inspektoratit shtetëror të jetë në favorin tonë. Jam i bindur pasi ka edhe dimensione tjera në këtë vendim dhe konsideroj se përsëri do të konstatohet mosplotësimi i kushteve dhe do të shqiptohet ndalesë e re prej 90 ditëve, me çka edhe më shumë do të komplikohet e tërë situata jo vetëm në kombinat por në tërë rajonin e atij vendi – tha Vasko Skenderovski, drejtor i Jugohromit.
Skenderovski kërkon nga qeveria që Inspektorati shtetëror i ambientit t’ua heqë ndalesën për punë. Për ta bindur qeverinë se do t’i instalojnë filtrat, ata do të sigurojnë garanci bankare. Jugohromi vendimin e Inspektoratit shtetëror për ndalesën për punë e ka ankimuar edhe në komisionin e shkallës së dytë, por tani për tani nuk ka përgjigje. Nëse Jugohromi nuk vazhdon me punë brenda dy ditëve, pjesa më e madhe e punëtorëve do të largohen nga puna, ndërsa sipas drejtorit në punë do të ngelin rreth 100 punëtorë. Ndryshe, edhe krahas mosfunksionimit të kombinatit i cili cilësohet si ndotës më i madh në Pollog, përsëri qytetarët e këtij rajoni me ditë të tëra thithin ajër më të ndotur sesa niveli i lejuar. Gjendja është alarmante edhe në Shkup. Në disa pjesë të qytetit ajri është për 8 herë më i ndotur se sa niveli i lejuar. Më alarmant është në Gazi Babë dhe tek Rektorati./Alsat-M