Pas sulmit tragjik në Manchester Arena, autoritetet britanike kanë mundur të zbardhin identitetin e kamikazit që hodhi veten në erë, ndërsa sipas tyre, bëhet fjalë për një 22-vjeçar të quajtur Salman Abedi, i cili është me origjinë nga Libia. Megjithatë, autoritetet po hetojnë ende nëse ai ka vepruar i vetëm, apo nëse është pjesë e një strukture më të gjerë që mund të përbëjë rrezik për qytetarët.
Autoritetet britanike kanë mundur të identifikojnë agresorin që sulmoi në sallën e koncertit në Mançester Arena, teksa sipas tyre, bëhet fjalë për një 22-vjeçar të quajtur Salman Abedi, dhe që është me origjinë nga Libia.
I riu i cili hodhi veten në erë vinte nga një familje që u arratis nga regjimi i ish-diktatorit, Muamar Gadafi, dhe që prej vitesh jetonte në Britani.
Megjithatë, pavarësisht zbardhjes së identitetit, situata vijon të ketë një sërë paqartësish.
Deri më tani, Shteti Islamik ka marrë përsipër sulmin në Manchester Arena, por nuk dihet nëse kjo organizatë terroriste ka patur lidhje direkte me Salman Abedi.
Gjithashtu, mbetet për t’u zbuluar nëse kamikazi ka qenë një ‘ujk i vetmuar’, term që përdoret për rastet kur agresorët sulmojnë te vetëm, apo nëse bëhet fjalë për një rrjet më të madh ekstremistësh, të cilët mund të përbëjnë rrezik për qytetarët britanikë edhe në të ardhmen.
Aktualisht, autoritetet vijojnë hetimet dhe informacioni ka qenë disi i kufizuar pikërisht për të respektuar këtë proçes.
Ngjarja e rëndë shkaktoi reagime të shumta në Britani, ndërkohë që kryeminsitrja,Theresa May, dënoi sulmin përmes një konference për mediat.
Salman Abedi, hodhi veten në erë në sallën më të madhe të koncerteve në Europë, gjatë kohës që artistja Ariana Grande po performonte përpara mijëra të pranishmëve.
Ngjarja përhapi panik tek spektatorët, të cilët nxituan të dalin me shpejtësi nga godina.
Bilanci i sulmit kamikaze rezultoi tragjik. 22 persona humbën jetën, ndërkohë që 59 të tjerë mbetën të plagosur.
Shumicave e tyre ishin përgjithësisht adoleshentë, ndërkohë që kishte edhe fëmijë.