“Mua nuk më interesojnë as postet as tenderët as pasuria për çfarëdo kombinatorike në rrethin e dytë për të shitur votat” Blerim Reka, kandidat për president, i ftuar në emisionin Click Plus pohoi se deri në këto zgjedhje presidenciale vota shqiptare nuk ka pasur peshë politike sepse ka qenë votë e tregtisë për ardhjen në postin e presidentit të kandidatit maqedonas. Ai garanton se me votat e qytetarëve të cilët kanë dalë për një vizion, nuk do bëjë tregti politike.

“Sigurisht që nuk jam i autorizuar as pronar i votave dhe aq me pak tregtar i votave i cili mund që 100, 200 mijë vota t’i shes apo t’i jap hua. Mua nuk më interesojnë as postet as tenderët as pasuria për çfarëdo kombinatorike në rrethin e dytë për të shitur votat. Nëse ka kombinatorika dhe matematika të tilla që mbi kurrizin tim dhe votave të fituara në kandidaturën time do të ndodhë një gjë e tillë do t’ju them prej tash se do të zhgënjeheni shumë keq”, deklaroi Kandidati për President në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka.

Reka tha se nuk ka ndonjë ambicie politike dhe e vetmja arsye pse ka hyrë në garën presidenciale është të testojë legjitimitetin politik të tijin në një garë individuale për president. Ai shtoi se asnjëherë nuk ka qenë anëtar i BDI-së.

“U krijua një famë ditëve të fundit se Blerim Reka është i BDI-së kuadër I BDI-së. Unë asnjëherë nuk e kam mohuar se propozimin për ambasador të Maqedonisë për Bruksel e ka dhënë BDI si pjesë e qeverisë Buçkovski. Nuk e di sa herë duhet ta përsëris këtë. Mirëpo po ashtu siç është ky fakt i pakontestueshëm po ashtu është fakt i pakontestueshëm se unë asnjëherë nuk kam qenë anëtar I BDI-së. Me përfundimin e postit të ambasadorit në Bruksel unë nuk kam shkuar në BDI’’, theksoi Blerim Reka, Kandidat për President në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas pritshmërisë së tij, Reka konsideron se mund të fitojë diku rreth 120 -150 mijë vota. Ai vë në pikëpyetje që nëse do të bëhej president, do të jetonte në vilën Vodno. Sipas tij nuk ka nevojë për aq luks presidencial dhe se vila mund të shndërrohet në muze ose për pritjen e funksionarëve të lartë shtetërorë të vendeve të jashtme./TV21/