Kaos në sistemin për aplikim dhe rishpërndarje për vaksinim ende po vazhdon…
Shumë qytetarë tashmë disa ditë me radhë po reagojnë, duke thënë se edhe pse kanë aplikuar për t’u vaksinuar në qytetin në të cilin jetojnë, megjithatë terminin ua kanë caktuar në qytetet tjetër. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë doli me kumtesë se qytetarët lirisht mund të vaksinohen në vendbanimin e tyre, megjithatë nga spitalet lokale thonë se nuk kanë marrë shkresë të tillë. Ata vazhdojnë t’i orientojnë qytetarët që të shkojnë dhe të vaksinohen në qytetin i cili u është caktuar përmes sistemit, me arsyetim se nuk kanë vaksina të mjaftueshme.

“Nuk kemi marrë shkresë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Vaksinat që janë sjellë janë për pacientët që kanë termin te ne, respektivisht për pacientët që kanë termin të caktuar përmes sistemit “Termini im””, deklaruan nga Spitali i Përgjithshëm – Gjevgjeli.

Edhe pse nuk u përgjigj – përse spitaleve lokale nuk u kanë dërguar shkresë zyrtare pas kumtesës së publikuar, ministri i Shëndetësisë fajin ua hedh qytetarëve, të cilët, siç pohon kanë bërë gabim gjatë përzgjedhjes së qytetit për vaksinim.

“Në lidhje me atë se disa qytetarë kanë marrë informacion që të vaksinohen në ndonjë qytet tjetër edhe krahas asaj se në qytetin e tyre ka pikë vaksinimi, sistemi tregon se ka pasur problem gjatë aplikimit, që do të thotë se qytetari me gabim ka aplikuar për një punkt tjetër. Nuk ka arsye tjetër që qytetarët nga qyteti ku ka punkt të shkojnë për t’u vaksinuar në një qytet tjetër”, deklaroi Filipçe.

Kur bëhet fjalë për rajonet dhe qytetet më të vogla, Filipçe tha se në fillim të javës kur filloi vaksinimi masiv, vaksinat janë ndarë nëpër punktet më të mëdha, në sallat sportive, e pastaj në shtëpitë më të vogla shëndetësore. Me ardhjen e vaksinave, të njëjtat do të shpërndahen nëpër qytetet e vendit, me qëllim që të vaksinohen sa më shumë qytetarë. Afër 104 mijë qytetarë deri më tani janë vaksinuar, prej të cilëve 24 mijë janë vaksinuar dhe rivaksinuar. Ai u apeloi qytetarëve që të vaksinohen për shkak se vetëm kështu mund t’i jepet fund kësaj pandemie. Ministri Filipçe sot në punktin e sallës Boris Trajkovski u vaksinua kundër Kovid 19 me vaksinën kineze Sinofarm.