Deputetët e Maqedonisë janë më të paguarit në rajon. Të dhënat që i publikoi rrjeti hulumtues “Scoop”, tregojnë se nga viti 2010 deri në vitin 2016, 120 deputetët e Maqedonisë kanë marrë nga arka shtetërore afër 5 milion euro vetëm për shpenzime transporti. Mesatarisht çdo deputet ka kërkuar kompensim në vlerë prej 40 mijë eurove për 6 vite, ndërsa në nivel vjetor në xhirollogaritë e tyre janë transferuar rreth 6,5 mijë euro, për benzin, pikë pagesa dhe shpenzime të tjera gjatë rrugës.

Është shumë i dukshëm krahasimi me deputetët e rajonit. Ata edhe pse kanë kaluar më shumë kilometra, duke e pasur parasysh se vendet fqinje janë më të mëdha për nga territori se Maqedonia, megjithatë ata për shpenzime transporti kanë kërkuar më pak para.

Shpenzimet e transportit 2010-2016: Maqedoni – 40 mijë euro për deputet, Slloveni – 36 mijë euro për deputet, Bullgari – 19 mijë euro për deputet, Kroaci – 14 mijë euro për deputet, Kosovë – 6 mijë euro për deputet

Deputetët këtë vit patën mundësi që ta ndryshojnë gjendjen me shkurtime të luksit. Por siç duket shumë rëndë po heqin dorë nga privilegjet që ligji ua mundëson. Për vitin e ardhshëm, gjithashtu në disponim kanë 1.3 milion euro, para të popullit për shpenzime transporti.

Përderisa qeveria e tanishme ishte në opozitë, rregullisht i kritikonte deputetët e shumicës parlamentare se i keqpërdorin rregullat dhe në mënyrë jo-transparente kërkojnë para nga shteti për shpenzime transporti. Por gjatë ndryshimit të qeverisë, nuk ka ndryshime të ligjit e as ulje të shpenzimeve.

Opozita e tanishme nuk dëshiron të komentoj për këtë çështje, ndërsa koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Tuntev, problemin e adresoi tek infrastruktura, por edhe tek ajo se Maqedonia nuk ka transport publik adekuat.

Deputetët nuk janë të vetmit që opinioni i njeh si shpenzues të mëdhenj gjatë udhëtimit nga shtëpitë e tyre deri në Shkup. Reagime të ashpra pati pasi që ambasadori amerikan, Jess Baily, zbuloi sa para për të njëjtën gjë kanë marrë anëtarët e KSHZ-së.