Bora dhe temperaturat e ulëta pothuajse e paralizuan shtetin. Komunikacioni nëpër tërë Maqedoninë zhvillohet me vështirësi dhe një pjesë e autostradave akoma janë të papastruara. Nën borë gjenden edhe disa fshatra të Karadakut të Shkupit. Banorë të Majancës dhe Brezës apelojnë për ndihmë.

Sipas televizionit Alsat të Shkupit, banorët e Haraçinës janë zemëruar me kryetarin e kësaj komune, Brahim Ajvazi, dhe thonë se në vend të tij, ata do të pastrojnë rrugët dhe do të mundësojnë kushte normale për jetesë.

Kryetari i Komunës së Haraçinës Ajvazi, në anën tjetër, tha se të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe tani për tani, nuk ka probleme.

Nga Ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” thonë se Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte të dimri. Ndalesa për qarkullimin e mjeteve të rënda të transportit ka në drejtimin Mavrovë – Dibër dhe në qafën e Pletvarit.

Nga Shtabi i Krizës thonë se pjesa më e madhe e drejtimeve rrugore rajonale dhe magjistrale janë të kalueshme. Fshatrat të cilat tani janë të izoluara për shkak të mbulesës së madhe të borës, tani për tani nuk kanë kërkuar ndihmë nga Shtabi i Krizës./Alsat/