https://www.youtube.com/watch?v=XEkuyPZKThg&feature=youtu.be
“Kryeministri po tregon që ndoshta kemi qenë në fillim gabim në perceptimin e qeverisë dhe të përkushtimit të saj. Nga ky pozicionim kryeministri ka arritur pjesërisht të na bind se ai është i cili përcakton politikat dhe orientimin e shtetit edhe pse mund të ketë telashe me BDI-në”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kryeministri, Zoran Zaev për më pak se 1 vit arriti ta bind Kasamin se është person i duhur për ta reformuar shtetin dhe vendosën ta përkrahin. Ai tha se marrëveshja me kryeministrin është arritur, kurse javën e ardhshme do të flitet për përgjegjësitë që do t’i merr Besa në qeveri.
“Në takimin me kryeministrin u dakorduam që ka gatishmëri të dyanshme që Lëvizja Besa të jetë pjesë e qeverisë. Ajo që ka ngelur është që në takimin e radhës, që parimisht u morëm vesh që të jetë në fillim të javës së ardhshme, të bisedohet konkretisht për përgjegjësitë konkretet të cilat duhet t’i marrë Lëvizja Besa në ekzekutiv”, u shpreh Kasami.

Kasami dëshiron që të merr përgjegjësi konkrete që t’i dëshmojë opinionit për kapacitetin që kanë kuadrot e tij, e më pak të dëshirueshme janë ministritë pa resor. Ai nuk përjashton as marrjen e postit e zëvendëskryeministrit për reforma.
Për dallim nga Zaev, Kasamin ende nuk e bind partneri tjetër i koalicionit, BDI. Me ata as që është biseduar, kurse nuk i pengon që edhe krahu tjetër i Besës të bëhet pjesë e qeverisë.
Por të dy krahët e Besës të jenë pjesë e qeverisë do të thoshte që edhe problemet që i kanë këto dy grupe do të barten brenda qeverisë, që sipas Gashit nuk është vendim i mirë. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të bëj zgjedhjen, ose ai, ose Kasami.
“Unë mendoj se kryeministri nuk dëshiron që problemet e jashtme ti sjellë brenda në qeveri. Mendoj që kjo që ekziston një kontest dhe opinioni është i lodhur me këtë çështje që ne e kemi pasur brenda subjektit, vërtetë ka qenë një fazë e rëndë shumë. Nuk i duhet kryeministrit kjo… Prandaj mendoj që ai do të duhet të zgjedhë njërën prej këtyre dy subjekteve”, tha Afrim Gashi.
Gashi është i mendimit se krahu i tij ka kuadro që ta udhëheq procesin e luftës kundër korrupsionit dhe sjelljen e sundimit të ligjit, e vendi me adekuat për të bërë këtë luftë është ministria e drejtësisë, e cila aktualisht është pa ministër. Por vetëm pyetja se a ekziston mundësia që partia e tij të liroj ndonjë ministri për partitë tjera shqiptare shkakton nervozë tek kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Tani unë nuk jam tregtar i Bit Pazarit as i urës gurit që të luaj me qibritë, a do të lejojë një ministri a s’do lejoj një ministri… Këto janë negociata që zhvillohen mes partive.
“Unë e thash që në tezga nuk punoj”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Megjithatë Ahmeti tha se partia e tij është e informuar për procesin negociues, kurse nuk mohoi se çështje e hapur në këto bisedime është edhe Ministria e Drejtësisë.