Lojërat e fatit apo të pafatit. Një shprehje popullore thotë: Në kazino fiton vetëm pronari dhe ata që nuk luajnë…

Kaloi pothuajse një vit prej kur propozim ligji për lojërat e fatit u gjend në komisionin për finansa dhe buxhet, por e njejta nuk arriti të kalojë sepse deputetët bënin përllogaritjet personale për atë se cili do të ishte vendimi më i mirë. Duke bërë kalkulime, Kuvendi u shpërbë dhe automatikisht tërhiqen të gjitha propozim ligjet që ishin të dorëzuara në Kuvend.

Lojërat e fatit tani kanë ngelur në duar të fatit. Viti 2020 ishte vit i vështirë për Maqedoninë e Veriut, edhe politikisht por edhe përshkak gjendjes së shkaktuar nga epidemia e Covid 19. Shumë gjëra stagnuan dhe u përkeqësuan. U bllokua edhe propozim ligji për lojërat e fatit. Në Kuvend nuk arriti të votohet propozim ligji i dakorduar atë kohë mes partive politike dhe lëvizjes Antibixhoz. I gjithë problemi ishte distanca se sa larg duhet të qëndrojnë kazinot nga vendbanimet. Lëvizja Antibixhoz kërkonte që ato të jenë 3 kilometra larg vendbanimeve, ndërsa partia në pushtet BDI donte vetëm 500 metra, distancë kjo që nuk do të kishte sjellur asnjë ndryshim, shkruan Zhurnal.

Më pas BDI-ja bëri një hap përpara që ato të dislokohen 1 km larg vendbanimeve. Por edhe kjo është e pamjfatueshme për qytetarët dhe lëvizjen Antibixhoz.

Pak kohë më vonë në Vizbeg të Shkupit ndodhi një vrasje përshkak lojërave të fatit. Kjo e detyroi lëvizjen Antibixhoz të kërkojë dhe mbylljen e tërësishme të lojërave të fatit. Mirëpo për partitë maqedonase por edhe ndoshta ato shqiptare, kjo do të ishte kapitulim.

Xhemal Abdiu nga Lëvizja Antibixhoz, në një prononcim dhe sqarim për Zhurnal, na njofton se ata kishin arritur marrëveshje me partitë shqiptare sa i përket propozim ligjit, mirëpo në moment të fundit LSDM ishte ajo që siç thotë, ndoshta qëllimisht braktisi seancën dhe nuk mundësoi kuorum për t’u votuar ai ligj.

“Sa i përket distancës, propozimi i dy deputetëve të BDI-së ishte të jetë 500 metra. Propozimi jonë atëkohë ishte të jenë 3 kilometra larg vendbanimeve. Ne arritëm marrëveshje të ketë disa ndryshime, flas për Qeverinë para kësaj. Ne u dakorduam që në propozimin e tyre të hyjnë dhe objektet fetare dhe qendrat e qytetit. Nuk pranoheshte 3 kilometërshi jonë. Pastaj ato propozuan që distanca të jetë 1 kilometër. Ne u dakorduam që në fushatë në planprogram të kenë edhe kumarin. U dakorduam me liderët e partive që të angazhohen më tepër të zgjidhin këtë problem, mirëpo kundër këtyre propozimeve ishin partitë maqedonase në veçanti LSDM dhe u tërhoq nga rendi i ditës në momentin kur duheshte të kalojë në komisionin për finansim dhe buxhet dhe në seancën parlamentare, ata nuk arritën të bëjnë kuorum qëllimisht”, ka njoftuar për Zhurnal Xhemal Abdiu.

Rrugët e stërmbushura me kazino, deputetët shohin interesat personale

Abdiu për Zhurnal shprehet se deputetët në Kuvend duhet të shohin interesat e qytetarëve dhe jo interesat personale, sepse së fundmja për këtë janë zgjedhur.

“Ne e shohim se të gjitha rrugët me frekuencë të lartë janë të stërmbushura me objekte të lojërave të fatit. Normal dikujt i intereson kjo situatë. Nuk iu konvenon të sillet një ligj adekuat i cili do të mbrojë interesin e qytetarëve. Për këtë dhe janë votuar ato deputet”, thotë Abdiu.

Propozim ligji fillon nga e para

Për arsye se u shpërbë Kuvendi shkurtin e kaluar, propozim ligji për lojërat e fatit tani duhet patjetër të fillojë nga fillimi. Ministria e Financave duhet të njejtin apo me ndonjë ndryshim, propozim ligjin ta dorëzojë në komisionin për finansa dhe buxhet në Kuvend. Atje duhet të fillojë së pari debati, e më pas të dorëzohet në Kuvend për votim nga deputetët.

Nga lëvizja Antibixhoz njoftojnë se do të jenë prezent në debat mirëpo nuk kanë të drejtë të flasin.

“Punët për sa i përket ligjit për lojërat e fatit duhet filluar nga fillimi. Mesi i shkurtit, kjo temë do të gjendet përsëri në komisionin për finansim dhe buxhet dhe besoj se do të jemi të ftuar, por për fat të keq duhet të jemi vetëm si shikues dhe nuk kemi të drejtë fjale. Pastaj kjo duhet të kalojë edhe në seancë parlamentare. Presioni nga ana jonë nuk mungon dhe bëjmë çmos që me çdo kusht të sillet një ligj”, deklaron Abdiu.

Kazinot të mbyllen tërësisht

Duke marë si shembull shtetet fqinje shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, qytetarët dhe vet lëvizja Antibixhoz janë të mendimit se e njejta duhet ndodhur edhe në Maqedoni.

Mirëqenja e qytetarëve nuk quhet mirëqenje nëse përshkak të hollave të humbura ndodhin vrasje mes vëllezërve, mes shokëve e mes qytetarëve. Qytetarët të cilët marin pjesë në lojërat e pafatit nuk fitojnë asgjë përpos që humbin pasurinë, humbin shtëpitë e gjërat me vlerë. Shpesh herë gratë bëhen viktima të burrave të tyre, duke iu shitur stolitë e arit përshkak humbjeve që kanë pësuar nëpër kazino. E për këtë, sipas Antibixhozit zgjidhja më e mirë do të ishte mbyllja e tërësishme e tyre.

“Nga momenti i vrasjes që ndodhi në një kazino në Vizbeg, ne ndryshuam qëndrimin tonë. Ne kërkojmë mbyllje të të gjitha lojërave të fatit sikur që ndodhi në Shqipëri dhe Kosovë dhe pastaj të dilet me ligj adekuat, ligj i cili do të mbrojë xhepin e qytetarit, jetën e qytetarit dhe mirëqenien e qytetarit, por kjo nuk është mirëpritur, ata mundohen të kalkulojnë”, ka deklaruar për Zhurnal, Xhemal Abdiu nga lëvizja Antibixhoz.

Politikbërësit duhet të dinë se përfitimet ekonomike janë afatshkurtëra dhe të vogla, në krahasim me dëmin që i shkaktohet shoqërisë. Dëmi në shoqëri është afatgjatë dhe i pakthyeshëm. Në vend se të përqëndrohen në përfitimet e përkohshme, duhet të vlerësohen përfitimet dhe kostot në mënyrë gjithëpërfshirëse./Zhurnal.mk