KE: Ekonomia shqiptare rritet në 2021 me 3.7%

Komisioni Evropian projekton se Shqipëria do të ketë rritjen ekonomike më të ulët nga vendet që janë kandidate potenciale për të hyrë në Bashkimin Evropian për këtë vit.

Për vitin 2021 KE parashikon një rritje në nivelin 3.7%, mes të njëjtave vlerave që ka projektuar për Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë, ndërsa nuk ka përfshirë në vlerësim Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën.

Për vitin 2020 Mali i Zi dhe Shqipëria, renditet si dy vendet që u goditën më shumë në rajon nga pandemia, për shkak të varësisë që kanë ekonomitë nga turizmi.

“Në termat e prodhimit pati një rritje pozitive në tremujorin e tretë në sektorin e bujqësisë, manifakturës, ndërtimit, pasurive të patundshme dhe shërbimeve publike, ndërsa industria e minierave mbetet e kontraktuar.”

Komisioni pret që papunësia të ulet në 12.8% gjatë këtij viti, nga 14.1% që rezultoi në 2020-n, ndërsa pagat do të rriten me 3.8%, që është vlera më e lartë e 5 viteve të fundit.

“Efektet e recesionit në tregun e punës mbetën të limituara, ndërsa në tremujorin e tretë rikuperimi i ekonomisë solli një ndikim pozitiv në indikatorët e këtij tregu.”

Borxhi publik u rrit në 79.9% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të 2020-s, ndërsa ndihma e qeverisë për asistencën sociale u shtua me 16% më shumë se planifikimi për shkak të situatës së pandemisë, raporton Komisioni Evropian.