Këshilltarë të Lëvizjes BESA kanë qenë protagonistët kyç që kanë formuar këshillat komunale apo qeverisjet lokale nëpër disa komuna. Fillimisht kishte nisur në komunën e Çairit, kur pas një marrëveshjeje mes këshilltarëve që fituan me emblemën e Lëvizjes BESA u arrit që të formohen qeveritë lokale, informon INA.

Dy këshilltarë të Lëvizjes BESA në janar arritën që të formojnë shumicën në këshillin komunal të Çairit, duke përfituar edhe postin e kryetarit të këshillit. Në këtë post u zgjodh Xhemile Mehmeti dhe kështu sot e kësaj dite funksionon shumica në Çair e përbërë nga 9 këshilltarët e BDI-së, 4 të LSDM-së dhe 2 këshilltarë të Besës që pëkrahin Bilall Kasamin për kryetar të Lëvizjes BESA.

Ditë më parë ndodhi edhe në transfertë e tillë, ku në Tearcë këshilltari i Lëvizjes BESA, Samir Emurllai vendosi të jetë vota kyçe për formimin e shumicës së këshillit komunal të kësaj komune, ku si kryesues i këshillit u zgjodh një këshilltar i BDI-së.

Ndërsa dje ka ndodhur edhe një akrobacion i këshilltarëve të Lëvizjes BESA në Tetovë, ku dy prej tyre, Veli Abduli nga fshati Xhepçisht dhe Ganimete Rexhepi nga Reçica e madhe dhanë votën për të zgjedhur Bekim Mehmetin nga BDI për kryetar të këshillit komunal. Lidhur me të gjitha këto transferime që janë vlerësuar si interesa personale kanë reaguar nga dy krahët e Lëvizjes BESA. Por burime të afërta me këtë parti thonë se në të ardhmen e afërt do të ketë edhe kalime të tjera në disa komuna, ku nevojiten vota dhe interesa të partive më të mëdha. (INA)