Autostrada “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë mund të mos përfundojë në afatin e paraparë, sipas marrëveshjes së nënshkruar.

Qeveria e Kosoves dhe konsorciumi ndërtues ishin pajtuar që projekti të përfundojë i tëri në vitin 2018, mirëpo problemet me buxhet rrezikojnë shtyrjen e këtij afati. Me këtë problematikë, Qeveria është përballur thuajse gjithë vitin.

Zyrtarë të “Bechtel & Enka”, thonë se kur është bërë marrëveshja, viti 2018 është propozuar nga ta, duke u bazuar në mundësitë teknike dhe menaxheriale për të kryer autostradën.

Por, kompania është e detyruar që të kryejë punime varësisht nga mundësitë e Qeverisë së Kosoves për t’i shlyer obligimet financiare.

Për këtë të fundit, dy palët janë ende duke diskutuar për marrëveshjen rreth ritmit të punës që duhet të bëhet dhe pagesat.

Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar të japë detaje rreth kësaj çështjeje, pa u finalizuar marrëveshja.

Për vitin e ardhshëm Qeveria e Kosoves ka ndarë 200 milionë euro për vazhdimin e pagesës së ndërtimit të autostradës për Shkup. Ndërkohë, ekipet e angazhuara në autostradë, tashmë thuajse e kanë bërë gati për lëshim në qarkullim 20 kilometërshin e parë.