“Nuk do të pranojmë nga askush të ndryshojë kufijtë dhe kush luan me zjarrin, digjet”. Ky është mesazhi kryesor që ka çuar ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, nëpërmjet intervistës së tij të fundit në gazetën e së dielës, “Real Neës”, dhe që u drejtohet Ankarasë, Tiranës dhe Shkupit.

Pra, sa i përket Shkupit, Kotzias shpreh shqetësimin e mungesës së kësaj kulture të mirëkuptimit dhe kompromiseve brenda vendit, duke theksuar se dëshira e Athinës është që të funksionojë demokracia dhe shteti ligjor, të cilat shihen nga Greqia si një faktor stabiliteti politik në rajon.

Ndryshe, në lidhje me Shqipërinë, Kotzias thekson se disa ëndërrojnë madhështi të rreme, të cilën nuk mund ta lejojë BE-ja dhe Greqia. Ai kujton se “Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe rruga e saj europiane u hap me mbështetjen e Greqisë, e madje pa këmbim, diçka që sipas tij ishte gabim”.