Pas iniciativës së sotme të qytetarëve të Tetovës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” të cilët organizuan protesta në Kodrën e Diellit, ka reaguar edhe kompani shtetërore ELEM. Ata thonë se kritikat dhe akuzat për këtë qendër turistike janë të pabaza.

“Pa hyrë në motivet e akuzave të disa individëve, informojmë se sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit po zhvillohet në përputhje me politikat organizative të ELEM Tours dhe pa probleme. Gjithë infrastrukrura është në funksion, ndërsa terrenet për skijim janë në mënyrë të shkëlqyeshme. Vetëm ditën e sotme janë shitur mbi 1.100 bileta, të dhëna që tregojnë se sezoni turistik në këtë qendër është në aktivitet të plotë”, thuhet në reagimin e ELEM-it.

Nga ELEM gjithashtu ju bëjnë thirrje Këshillit inicues për shpëtimin e Kodrës së Diellit të mbajnë takim dhe të shkëmbejnë mendime në lidhje me përmirësimin e kushteve të kësaj qendre turistike.

“Besojmë se inicuesit kanë qëllime të pastra dhe kjo iniciativë ka dalur nga brengosja e tyre për punë dhe kushte më të mira në Kodrën e Diellit, ju bëjmë thirrje për një takim të drejtpërdrejtë në selinë e kompanisë sonë ku do të ishte kënaqësi të shkëmbejmë mendime për përvojat tona pozitive dhe negative”, thuhet më tej në komunikatën e ELEM-it./Telegrafi/