Pres konferenca e sotme e kaolicionit ASH-AAA në temën Fuqia dhe roli i grave në politikë

Të nderuara media, të dashur qytetarë, të nderuar zotërinj, të dashura vajza dhe gra,

Sot mundemi lirshëm të themi se ndodhemi përpara një kthimi historik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndodhemi përpara një kthese që nevojitet të gjithë bashkë ta bëjmë dhe secili nga ju nevojitet të kontribuojë prej pozitës të cilës i takon. Ndërsa ne gratë kemi detyrë të rëndësishme, kemi obligim dhe detyrë t’u themi ndal të gjitha pengesave që na janë bërë për përparimin tonë, qoftë në punësim, qoftë në avancim, apo edhe në përfaqësim të drejtë në tre shtyllat kryesore të qeverisë-në Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor.

Sot të pranishme jemi gratë dhe vajzat përfaqësuese të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kandidate për deputete, po edhe përfaqësuese të Asamblesë së Gruas dhe Forumeve Rinore. Jemi një kohezion dhe sinergji që së bashku formojnë energjinë e re të frymës që do të sjellim.

Ne sot që jemi këtu,jemi vetëm një pjesë e aktivit politik të Koalicionit Aleanca dhe Alternativa dhe përfaqësimi i gruas në këtë koalicion ndoshta nuk është maksimumi, por sigurisht se është një përqindje shumë inkurajuese për femrën që të marrë guximin të bëhet pjesë aktive e politik bërjes, por edhe vendimmarrjes politike.

Në programin e Koalicionit Aleanca dhe Alternativa si bartës të legjitimitetit në qeverinë e pas 15 korrikut do të propozojmë ligj për përfaqësim të drejtë dhe kjo nuk nënkupton përfaqësim të drejtë vetëm në aspekt etnik, por edhe në atë gjinorë, sepse gjendja është jashtëzakonisht dëshpëruese në bazë të të dhënave statistikore, p.sh. sipas të dhënave të Entit Shtetërorë për Statistika në vitin 2015 kishim 15,5% më shumë meshkuj të punësuar sesa femra, ndërsa në vitin 2019 ky dallim është thelluar edhe më shumë duke e çuar në 18% dallimin në shkallën e punësimit në mes gjinive. Nga gjithsej afër 160 000 personave të papunë, mbi 67 000 janë femra ndërsa 26% e tyre apo mbi 17 000 janë me shkollim universitar, që secila nga ato mund të jetë një kandidate e mundshme potenciale edhe për deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ne gratë nuk do të lejojmë që burrat politikanë të ndërtojnë politikë pa praninë tonë të grave, sepse politika evropiane nuk e lejon këtë, sepse politika evropiane ka gra shembull të pranishme në politikë, goxha të zellshme dhe të suksesshme. Pra, nuk do të mund ta paramendoni politikën pa praninë tonë as në Republikën e Maqedonisë së Veriut!

Ne, gratë e koalicionit dhe studentet e Forumit Rinor kemi marrë si obligim mbi supet tona që të sjellim ndryshimin, të bindim çdo grua se ajo ka të drejtë në politik bërje, se ajo është pjesë përbërëse e shoqërisë dhe e shtetit. Do të ndihmojmë gruan shqiptare, por jo vetëm. Gruaja është shtyllë mbajtëse e folesë, është edukatorja e fëmijëve të saj, është krahu i djathtë i burrit të saj, por fillimisht është një zë i fuqishëm që mund të sjell ndryshim në shoqëri.

E rëndësishme dhe elementare është punësimi i gruas fillimisht. Punësimi na sjell pavarësinë, guximin dhe lirinë që të sjellim vendime për veten tonë. Që të bëhemi zot i vetvetes.
Ne, gratë e koalicionit, unë personalisht ju jap fjalën se do të përkrah secilën grua dhe vajzë që do të ketë nevojë për përkrahje, pa marrë parasysh moshën e saj, statusin e saj, gjuhën që flet, e kështu me radhë.
Ne, gratë e koalicionit, do t’i hapim dyert e guximit që gruaja të kyçet në politikë, të kyçet në të gjitha segmentet e shoqërisë, sepse ne jemi të afta, të shkolluara, jemi të zgjuara dhe meritojmë të bartim pozicione vendimmarrëse.

Më shikoni mua, unë po kyçem në politikë për herë të parë duke kaluar nga aktivizimi qytetar, në një moshë pak më të shtyrë dhe ka kjo ndonjë të keqe!? JO.. Luan rol mosha ime? JO, apo ndonjë gjë tjetër, JO, sepse motivi im shtytës është përmirësimi i gjendjes tonë kolektive, për përmirësimin e kushteve të jetesës sonë, ruajtjen e kapitalit njerëzor në vendin tonë, pra një obligim të rëndësishëm kemi para vetes; t’i mbajmë fëmijët tanë të mos na ikin. Por që rinia të mos ik ne duhet t’ju krijojmë kushte evropiane për jetesë, t’ju krijojmë vende pune, shkollim të mirëfilltë dhe qendra kulturore që do t’i zhvillojë aftësitë e tyre për kyçje në gara me rininë në botë.

Aktivitetin tim dhe kyçjen në politikë e bëj me një ideal; që zëri jonë, i grave të dëgjohet, të respektohet dhe të merr fuqi e të mos lejojmë të përdoremi si kukulla/lodër, apo të lejojmë të na frikësojnë me lloj lloj shantazhime.
Të gjitha këtyre do t’ju themi NDAL/STOP vetëm nëse e përkrahim fuqimisht njëra tjetrën.
Ju ftoj të gjitha grave dhe vajzave studente të na bashkëngjiteni, sepse ne do tа sjellim ndryshimin. Sepse ,,Tash është Koha”
Faleminderit!