Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se pas zgjedhjeve të 15 korrikut BDI do të jetë fituese dhe Reçica e Vogël do të jetë më e famshme në rajon. Mirëpo kjo deklaratë e Ahmetit ka prekur shumë banorë të këtij fshati, që e vizitoi ekipi jonë gjatë ditës së sotme. Shumë qytetarë nuk pranojnë të flasin, thonë se nuk ja vlen të komentohen fjalët e Ali Ahmetit.
Ata që flasin thonë se Ali Ahmeti nuk mund ta bëjë të famshme Reçicën e Vogël, sepse ky fshat, tani lagje e Tetovës, ka historinë e vet të lavdishme.

“Reçica e Vogël ka historinë e vet. Ka qenë shumë më e famshme para se të vijë BDI-ja me Ali Ametin. Në Reçicë të Vogël është themelu Universiteti i Tetovës. Fadil Sulejmani e bëri Reçicën të famshme jo Ali Ahmeti. Me këtë krenohemi ne si fshat, jo me parti”, thotë një banor 61 vjeçar, pjesëmarrës në demonstratat për hapjen e universitetit.

“Partitë ne të shkojnë në Shkup, atje mbrohen interesat e shqiptarëve, neve ne të na lënë rehat”, thotë studenti 22 vjeçar, që na prezantohet me emrin Arlind. Ai thotë se te kolegët e tij ekziston bindje negative se mbarë Reçica e Vogël është BDI.
“Kjo nuk është e saktë. Shumë pak e përkrahin te ne këtë parti. Nuk e di kush na e solli këtu”, shprehet Arlindi.
Ndryshe banorët thonë se nuk kanë ndonjë dobi që selia e BDI-së është në lagjen e tyre. Edhe ata, si pjesa më e madhe e Tetovës, përballen me probleme në infrastrukturë, kanalizim, furnizim me ujë edhe pse 20 vite kanë premtime të njëpasnjëshme se “pas këtyre zgjedhjeve këto probleme do të zgjidhen”. Vitet e fundit ankohen edhe nga dukuri devijante, siç ishte zbulimi i laboratorit më të madh të drogës në Ballkan.