Në Kuvend u formua Iniciativa për një njësi zgjedhore, ku janë përfshirë 12 deputetë nga 10 parti dhe një deputet i pavarur. Në mbledhjen në Klubin parlamentar të deputetëve, që u mbajt më 11 shtator 2019, u formua një grup deputetësh të cilët angazhohen për model zgjedhor proporcional me një njësi zgjedhore.

“Si deputetë të Iniciativës kërkojmë që të përfshihemi në procesin e ndryshimit të Kodit zgjedhor, të cilin e kemi si obligim si shtet pas vërejtjeve të OSBE/ODIHR që nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Për këtë qëllim, sot kërkuam me shkrim përmes arkivit takim me kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, dhe me kryetarët e tre partive LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilat po udhëheqin këtë proces. Ne besojmë se në këtë mënyrë do të sigurohet transparencë dhe gjithëpërfshirje më të madhe të tërë procesit, si dhe respekt për vullnetin e atyre qytetarëve të cilët presin demokratizimin e vendit përmes ndryshimeve në modelin zgjedhor “, thuhet në deklaratë.

Ata shtojnë se gati dy dekada, që nga viti 2002, Maqedonia ka një model zgjedhor proporcional me gjashtë njësi zgjedhore. Sipas mendimit të tyre, kjo është kohë e mjaftueshme që efektet pozitive dhe negative të tij të shihen dhe të analizohen.

“Ai gjithsesi ishte më i mirë se modeli i mëparshëm i shumicës, për shkak se siguroi zgjedhje më të drejtë sipas numrit të votave të votuesve. Sidoqoftë, shpërndarja e pjesës tjetër të votave nga listat që nuk sigurojnë mandat, përmes metodës së Dontit, shkon në favor të subjekteve më të mëdha. Disavantazhi kryesor i këtij modeli është kufizimi për lista të partive ose individëve për të siguruar një mandat, nëse nuk kanë përqendrim të votave në një njësi zgjedhore. Kështu që ka ndodhur të hidhen poshtë lista të cilat, në nivel të shtetit, kanë grumbulluar 30 dhe 40.000 vota, ndërsa në Kuvend mund të hynë, me disa përjashtime të vogla, vetëm partitë më të mëdha”, është shtuar në deklaratë.

Në listën e deputetëve, të cilët qëndrojnë pas Iniciativës për një njësi zgjedhore janë Liljana Popovska, Maja Moraçanin, Rubin Zemon, Ferid Muhiq, Mirosllav Jovanoviq, Panço Minov, Samka Ibraimoski, Julijana Nikollova, Jusuf Hasani, Rexhep Memedi, Alij Kamberoski dhe Amdi Bajram.