Eurokomisioneri për zgjedhir Oliver Varhelyi është shprehur me tone skeptike në lidhje me miratimin e kodit të ri zgjedhor dhe nëse votimi i të hënës në parlamentin shqiptar, është kryer konform marrëveshjes së 5 qershorit, të arritur mes palëve në Këshillin Politik.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, Varhelyi u shpreh se do të udhëtojë në Tiranë për ta parë personalisht dhe nga afër kodin e ri zgjedhor të miratuar nga socialistët e deputetët e opozitës së re.

“Po e shohim çështjen e reformës zgjedhore me sy të hapura mirë dhe do shkoj t’i shoh gjërat vetë në terren”-tha komisioneri.

Varhelyi shtoi se shpreson që kjo çështje, të mos kthehet në arsyen e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia, në rrugëtimin drejt integrimit në BE.

“Shpresoj që kjo mos të kthehet në një çështje për të ndarë të dyja vendet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo vërtetë nuk do ishte mirë” theksoi ai.

Në lidhje me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Varhelyi u shpreh se ajo duhet të jetë funksionale brenda konferencës së parë ndërqeveritare, e cila pritet të mbahet në dhjetor.

“Kushti që ne kemi në përfundimet e Këshillit që hapin rrugën për negociatat e bën shumë të qartë që duhet një Gjykatë Kushtetuese funksionale përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Inkurajojmë të dyja palët që të vijojnë punën që Gjykata të bëhet funksionale”-tha Varhelyi.