Projekti i “Erazmus Plus E-motion” është projekt i parë që zhvillohet nga studiuesit dhe praktikuesit i cili përqendrohet në mbështetjen e fëmijëve shumë të ndjeshëm në mjediset e tyre të ngushtë. Ky projekt si pjesëmarrës i ka edhe dy universitete nga Spanja, Polonia, por edhe qytetin e Romës në Itali, një organizatë psikologjike nga Rumania dhe drejtoria dhe edukatoret e çerdhes “Breshia” të Dibrës

Projekti “Erazmus Plus E-motion” (emocionet tek fëmijët) që realizohet nga institucionet evropiane ka përfshirë edhe fëmijët e Dibrës së bashku me fëmijët e Polonisë, Rumanisë, Italisë dhe Spanjës. Fëmijët e çerdhes “Breshia” faktikisht përfaqësojnë në këtë projekt Europian edhe Maqedoninë e Veriut.

Në bisedën që patëm me drejtoreshën e çerdhes “Breshia”, u informuam se është një projekt shumë domethënës që përfshin edhe fëmijët e kësaj çerdhe. Bëhet fjalë për fëmijë shumë të ndjeshëm të moshës nga 3 deri në 6 vjet. “Ne si çerdhe jemi shumë të kënaqur nga përfshirja në këtë projekt për të cilin ka një meritë koordinatori kombëtar në Erazmus Plus, dibrani Bledi Cami. Ky projekt në fazën e parë e cila tanimë ka përfunduar, na mundësoi të bëjmë intervista me fëmijët dhe prindërit në lidhje me emocionet e fëmijëve, meqë fëmijët të cilët janë të ndjeshëm, kanë edhe një përcaktim ndaj mjedisit dhe përgjigjen me reagime më të theksuara emocionale dhe të sjelljes. Sidomos këta fëmijë janë tepër të ndjeshëm në situata stimuluese dhe demonstrojnë sjellje që shpesh mund të ngatërrohet me hiperaktivitetin, deficitet e vëmendjes dhe çrregullimet e përpunimit ndijor. Këta fëmijë karakterizohen gjithashtu nga kreativiteti, intuita dhe sensi i humorit. Pikërisht ndjeshmëria e lartë mund të jetë si faktor rreziku dhe një faktor që siguron zhvillimin e saktë të personalitetit të këtyre fëmijëve”, thotë drejtoresha Ajrie Daçi.

Në fazën e dytë e cila fillon tani, ajo do të realizohet në mënyrën onlajn edhe atë me fëmijët, të punësuarit dhe prindërit. Bëhet fjalë për testime të cilët kanë vendin e vet në aspektin e përfundimit të projektit. Drejtoresha Daçi thekson se pas përfundimit të këtij projekti, do të bëhen analiza të testeve dhe pastaj në suazat e të gjithë pjesëmarrësve në projekt, do të vendosen edhe rezultatet e testimeve.

Projekti i “Erazmus Plus E-motion” është projekt i parë që zhvillohet nga studiuesit dhe praktikuesit i cili përqendrohet në mbështetjen e fëmijëve shumë të ndjeshëm në mjediset e tyre të ngushtë. Të theksojmë se ky projekt si pjesëmarrës i ka edhe dy universitete nga Spanja, Polonia, por edhe qytetin e Romës në Itali, një organizatë psikologjike nga Rumania dhe drejtoria dhe edukatoret e çerdhes “Breshia” të Dibrës. Në kuadër të projektit, edukatoret e çerdhes të Dibrës ishin prezent në çerdhet e katër shteteve të lartpërmendura, por në kuadër të këtij projekti – në Dibër qëndruan edhe edukatorë nga shtete në fjalë. (koha.mk)