Sot në Kodrën e Diellit është nënshkruar marrëveshja për financimin e dy projekteve me rëndësi për rajonin e Pollogun. Projektet në fjalë parashohin masat për parandalim të katastrofave nga vërshimet dhe zgjidhjen e çështjes së deponisë Rusino. Marrëveshja në vlerë prej rreth 3 milion eurove përfshin fazën e parë të realizimit të këtij projekti që do zgjatë katër vite, ndërsa financuesit kryesorë janë Qeveria Zvicerane dhe UNDP.

Për rajonin e Pollogut fillon trokitja e mbarë dhe besoj se me bashkëpunimin që e kemi pasur deri më tani në nivelin qendrorë, lokal dhe me ndërkombëtarët sidomos me Zvicrën dhe UNDP kemi arritur një marrëveshje sot për T`i zvogëluar në të ardhmen vërshimet përmes projekteve në këto vendbanime – deklaroi Sadulla Duraku, ministër i ekologjisë.

Qytetarët kanë të drejtën legjitime që të mos shohin më katastrofa si ato të vitit 2015 dhe 2016 siç ishin humbjet e jetëve dhe shkatërrimet materiale. Mendoj se Zvicra ka të tregoj diç më tepër dhe jo vetëm financim dhe ulje të rrezikut nga vërshimet sidomos nga përvoja e saj në këtë drejtim sepse njëjtë sikurse Maqedonia dhe Pollogu që është vend me shumë male edhe ne jemi të atillë dhe jemi të ekspozuar në shumë rreziqe natyrore, sidomos nga ndryshimet klimatike që ndodhin dhe kjo kërkon një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve, qytetarëve dhe sektorit civil – tha Stefan Tomagian, Zv ambasador i Zvicrës.