Për të shpëtuar qendrën turistike “Kodrën e Diellit” dhe turizmin në Tetovë duhet që të ndërtohet teleferiku nga Tetova që do ti transportojë turistët në Kodrën e Diellit, kështu thonë  pronarët e hoteleve në Tetovë.

Për të shpëtuar këtë qytet dhe këtë qendër turistike fjalën e fundit e ka zv/drejtori i ELEM-it Fatmir Limani. Ai ende nuk ka thënë asgjë për këtë edhe pse ELEM vazhdon të nxjerr projekte vetëm në letër se në “Kodrën e Diellit” do të investohen rreth 15 milion euro.

“Llogaritë e para janë se për riparimin e plotë të teleferikut ekzistues nevojitën rreth 12 milionë euro, ndërsa projekti ideor për ndërtimin e një modeli të ri të teleferikut kushton rreth 15 milionë euro. Pra, më mirë do të ishte që të vendoset një model i ri, normalisht me financa të shtetit për të lidhur sërish me këtë lloj transporti qytetin e Tetovës me këtë pikë turistike”, kanë thënë  nga Qendra e skijimit në Kodrën e Diellit. Sipas tyre, Kodra e Diellit në Tetovë ka pasur teleferik që nga vitet 70-ta dhe ka funksionuar deri në luftën e 2001-shit dhe ai ka lidhur Tetovën me qendrën turistike për skijim, por gjatë luftës në 2001, janë dëmtuar kabllot për transportin e kabinave.

Pronarët e hoteleve në Tetovë thonë se Tetova  ka mbetur një qytet i humbur ku interesi i turistëve dita ditës bie,   ku turistët nuk vijnë më, marrin rrugën ose në Mavrovë ose në Bansko të Bullgarisë.

“Ikin turistët, ska infrastrukturë të rregulluar, ska teleferik, ska borë, asgjë ska andaj edhe ikin marrin rrugën për në pika tjera turistike për skijim” thonë për TetovaSot disa nga pronarët e hoteleve në Tetovë

Sipas tyre nëse vendoset teleferiku do të ringjallet edhe Tetova edhe “Kodra e Diellit” edhe biznesi dhe gjithçka do të merr pamjen e një qyteti që ka gjallëri.

Ndryshe ELEM ka paralajmëruar se do të investojë në Kodrën e Diellit sipas master-planit të miratuar për investim në qendrën turistike Kodra e Diellit, të përpunuar nga kompani me reputacion ndërkombëtar, ndërtimi i teleferikut të ri me gjashtë ulëse, ndërtimi i shtigjeve të reja për skijim, si dhe rikonstruimi i rrugës kryesore vlerësohen rreth 30 milion euro.

Master plani për qendrën e skijimit Kodra e Diellit ka paraparë  shtigje të reja për skijim dhe zgjerimin e atyre ekzistuese, më shumë parkingje, si dhe rikonstruim të rrugës kryesore – aktivitete që duhet të kryhen në fazën e parë të investimeve, ose më ndryshe deri në vitin 2014, por ka kaluar deri në vitin 2017 dhe asgjë nuk ka të ndërtuar. Gjithashtu në fazën  e dytë dhe të tretë parashikohet ndërtimi i Hoteleve dhe restoranteve për të cilët Qeveria do të kërkojë koncesioner.

Tetova dhe qendra turistike vazhdon ende të mbetet e njetë edhe pas shumë premtimeve dhe planeve në letër.

Bëhu patriot Fatmir, dhe shpëtoje Tetovën./TetovaSot/