Me publikimin e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni do të ndërpritet edhe mandati i anëtarëve të Komisionit Ad Hok, i cili monitoroi punën e mediave në periudhën 100 ditore para zgjedhjeve. Anëtarët e këtij komisioni thonë se formimi i komisionit ka ndihmuar në mënyrë që partitë të gjejnë hapësirën në mediat të cilat më parë ishin hermetikisht të mbyllura për partitë opozitare.

“Ambienti medial në Maqedoni është aq i kontaminuar, saqë me një komision të padefinuar mirë s’besoj se ka një rezultat të dukshëm. Megjithatë, për momentin për qasjen që u formua, arriti sado pak që të krijoj një hapësirë më të volitshme edhe për partitë tjera opozitare që të përfshihen në përmbajtjet e mediave elektronike, nacionale mbi të gjitha por edhe në ato lokale”, deklaroi Lulzim Haziri anëtar i Ad-hok trupit.

Por për dallim nga Haziri, profesorja Snezhana Trpevska thotë se formimi i trupit Ad Hok nuk ka ndihmuar aspak në përmirësimin e punës së mediave dhe se ka dështuar në misionin që kishte.

“Se ndarja ishte madhe dhe ndikimi i madh politik në bredin e e këtij trupi mund të vërehet nga zënkat që kishin anëtarët mes vete. Unë nuk jam e informuar detajisht çfarë vendime dhe si i kanë prurë ato vendime, por vetë fakti se pas zgjedhjeve ne përsëri tek mediumet kemi raportime me gjuhë të urrejtjes, raportime jokritike të deklaratave të politikanve të cilët përfaqësojnë gjuhen ë urrejtjes, dëshmon se problemet akoma nuk janë zgjidhur”, deklaroi Snezhana Trpevska, Instituti për studime komunikologjike.

Formimi i Komisionit Ad-hok ishte pjesë e marrëveshjes mes katër partive politike , ndërsa kishte për qëllim mbikëqyrjen e punës së mediave dhe garantimin e informimit të paanshëm. Që prej themelimit, ky komision ka propozuar disa dënime për TV Sitel, TV Alfa dhe TV Nova si dhe vërejtje për raportimin e mediave të tjera./Alsat-M