Komisioni për Politikën e Jashtme, në mbledhjen e sotme virtuale miratoi tre projektligje.

Projektligji i parë, “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, ratifikuar me ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000”, u prezantua në komision nga Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Projektligji pasqyronte ndryshimet, që i kanë ndodhur tekstit të Konventës së Aarhusit nga palët, ndryshime që konsistojnë në përfshirjen e procesit të informimit dhe të tërheqjes së publikut në vendimmarrjet për organizmat e modifikuara gjenetikisht. Projektligj vinte si nevojë për përmbushjen e detyrimeve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si palë për Konventën e Aarhusit, ndaj Koventës së Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE). Për komisionin ky projektligj u relatua nga Alket Hyseni.

Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar me ligjin nr. 9733 datë 14.05.2007 në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ” u relatua në komision nga deputetja Evis Kushi dhe u prezantua nga zëvendësministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Belinda Ikonomi.

Ky projektligj, sipas zëvendësministres, nxiste përparimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Zëvendësimi i protokollit II të MTL-së me Turqinë me shtojcën I “Përkufizimi i konceptit të “Produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ të Konventës PEM do të njehsojë rregullat e origjinës preferenciale të mallrave, me qëllim që produktet e përfituara të quhen origjinuese, siç referohet në këtë Konventë. Turqia është një ndër pesë vendet kryesore me të cilat Shqipëria eksporton mallra.

Projektligji i fundit, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)” u paraqit në komision nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Cinari.

Miratimi i këtij projektligji synon përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet në marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria aderon në fushën e komunikimeve elektronike dhe aderimin aderimin në Konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT).

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve komisioni i miratoi të tre projektligjet. Komisioni e zhvilloi mbledhjen e sotme përmes platformës elektronike të komunikimit Cisco Webex.